Gazetarja Klodiana Lala thotë se çështja e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës duhet të çohet deri në fund dhe hetimet të bëhen në të gjitha dimensionet, pasi në të kundër situatat do të jenë edhe më të rënda.
Lala thotë se ajo e di ku ndodhet familja e Jan Prengës, por vendin nuk do ta tregojë kurrë, edhe pse ka pasur persona që i janë ofruar për të treguar.
Gazetarja Lala po ashtu sqaron se familja e Jan Prengës ndodhet në vështirësi të tmerrshme, pasi shteti ku ndodhet nuk ia beson historinë.
Klodiana Lala: Duhet hetuar në themelin e vet. Unë kam bërë një investigim shumë të detajuar në lidhje me atë ngjarje dhe ndonjëherë them me vete që mund ta mbroj më mirë unë sesa prokurorët atë cështje në procesin gjyqësor, mund të jap më shumë detaje sesa ata e njohin dosjen.
Kam takuar qindra njerëz në këtë vend, i kam të gjitha të regjistrua. E kam takuar Altin Hajrin, në të dyja rastet që e kam takuar e kam regjistruar. Po të them vetëm kaq, Alfred Dedja nuk rezulton të jetë pyetur si person në dijeni apo që të ketë lidhje. Megjithatë nëse ai ka marrë dijeni më pas këtë duhet ta sqarojë prokuroria. Nuk ka qenë asnjëherë i pyetur apo person i dyshuar për zhduken e Jan Prenges. Jan Prenga iku i pafajshëm nga kjo jetë për shkak të problemeve që kishin vëllezërit e tij. Trupin e Jan Prengës duhet t’ja kthejnë familjes. Familja e Jan Prengës ndodhet në një vend që nuk do ta zbuloj kurrë, pavarësisht se ka pasur tentativa që me janë ofruar njerëz për ta thënë atë vend dhe nuk kam për ta thënë asnjëherë. Ata janë në vështirësi të tmerrshme, sepse shteti ku janë nuk i ka besuar për historinë e tyre, shteti shqiptar ka thënë se ata janë të sigurt, ndërkohë në fakt ata nuk janë farë të sigurt. Kjo histori duhet hetuar në të gjitha dimensionet e veta. Pra nëse nuk i shkohet deri në fund situatat do jenë edhe më të rënda.
