Skip to content

Mbill një pemë si kujtim, Veliaj falenderon ata që kontribuojnë për gjelbërimin

Shumë qytetarë të Tiranës kanë zgjedhur të mbjellin pemë për të kujtuar data të veçanta në jetën e tyre, si ditëlindje apo përvjetorë. Surprizës qe Vasilika Kita iu bëri nipave te saj iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

 

“Jam shumë mirënjohës për Vasilikën, ish-punëtorja e përkushtuar e Arkivës, sot në pension, që i kujton fëmijët e nipërit me mbjelljen e  këtyre pemëve. Pak minuta më parë, një grup nga komuniteti ndërkombëtar që jeton në Tiranë, mbolli një pemë për një kolegen e tyre norvegjeze që kishte ndërruar jetë, dhe pak më përpara, dy binjakë për ditëlindjen e tyre mbollën një pemë”.

 

Kryebashkiaku i quajti heronj ata qe kontribuojnë çdo dite për Tiranën.

 

“Ky qytet është produkt i heronjve të pakënduar, i heronjve të paparë, i heronjve të vegjël, që ndoshta nuk i njeh njeri, por që japin më shumë kontribute se sa politikanë që thonë do bëjnë hatanë dhe nuk prodhojnë asgjë”.

 

Vetëm këtë të shtunë në parkun e liqenit u mbollën dhjetëra pemë nga qytetarë të ndryshëm.