Një burrë kinez, i lodhur nga jeta e përditshme, u arrestua së fundmi pasi publikoi një “urdhër kërkimi” në emrin personal në rrjetet sociale dhe u mburr për krime të shumta që pretendonte se kishte kryer.

Një burrë nga Kina veriore postoi në rrjetet sociale gënjeshtra për veten e tij. – Ai pretendoi se kishte zhvatur 30 milionë juanë nga një kompani, se zotëronte një armë zjarri, municione dhe sfidoi njerëzit ta gjenin nëse donin një shpërblim prej 30,000 juanë. Postimi u bë viral, por gjithashtu tërhoqi vëmendjen e organeve kineze të rendit që monitorojnë rrjetet sociale dhe përfundoi pas hekurave për këtë veprim të pazakontë.

“Jam një banor i Qinyuan, qyteti Changzhi, provinca Shanxi. Kam zhvatur 30 milionë juanë nga një kompani më 10 nëntor 2024”-pretendonte ai në postimin e tij. “Zotëroj një automatik dhe 500 fishekë. Nëse më gjeni, do të shpërbleheni me 30 mijë juanë”.

Vetëm një ditë pasi “u kallëzua” për krime që nuk i kishte kryer, burrin me mbiemrin Wang u arrestua, por policia nuk gjeti asnjë armë zjarri apo sende të rrezikshme dhe pretendimet e tij për zhvatjen e shumave nga kompania ku kishte punuar rezultuan false.

Wang i shpjegoi policisë se ishte penduar për mashtrimin dhe se kishte vepruar nga mërzitja dhe zemërimi.

Megjithatë, autoritetet konsideruan se dëmi ishte bërë dhe e akuzuan për përhapje të qëllimshme të informacionit të rremë dhe shkaktim të trazirave publike.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re