Operacioni “Drugs” çon në zbulimin e bazës së shitjes së drogës në ambientet e lokalit në lagjen “1 Maji”. 42-vjeçarja punonte si kameriere dhe banakiere, teksa u kap me hashash. Kushëririt të pronarit të arratisur i gjenden cash paratë që dyshohet se u fituan nga aktiviteti kriminal
Fier- Kishte përshtatur lokalin për veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve, shpallet në kërkim pronari i lokalit, Sokol Osmëni dhe arrestohet 42-vjeçarja që ishte punësuar si kameriere dhe banakiere.
Në kuadër të operacionit të koduar “Drugs”, Policia e Fierit njoftoi sot (8 Dhjetor) se i vuri pranga të dyshuarës Marinela Kita, se shiste drogën në lokalin ku u krye ndërhyrja.
Gjithashtu u procedua edhe një 30 vjeçar, kushëriri i pronarit të lokalit, pasi gjatë kontrollit ju gjetën 13000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale.
E punësuar si kameriere dhe banakiere në një lokal në lagjen “1 Maji”, Fier, kjo shtetase u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë dhe nga kontrolli fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa”, tha policia.
42-vjeçarja u arrestua për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
“Nga kontrolli i lokalit u gjetën mbetje të lëndës narkotike cannabis sativa që dyshohet se ishte konsumuar nga klientë të ndryshëm të lokalit”, sqarohet më tej.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim për veprën penale “përshtatja e lokalit për përdorim droge”, pronari i lokalit, shtetasi S. O., 43 vjeç, banues në Fier.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “pastri i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasi M. O., 30 vjeç, banues në Fier, pasi nga kontrolli i automjetit të parkuar në lokal, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi parash prej 13000 euro cash, të cilat dyshohet t’i ketë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, paratë, 1 automjet, 1 grirëse dhe 3 celularë. Teksa vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit dhe dokumentimi i plotë ligjor i kësaj veprimtarie kriminale.
