Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, ka refuzuar që të dekretojë 11 ligje që janë miratuar me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

 

Sipas mediave maqedonase, bëhet fjalë për ligje në sfera të ndryshme në ekonomi, marrëveshje për bashkëpunim mes shteteve, marrëveshje për shërbimet e sigurisë, për shërbime në armatë, ligjin për komunikime elektronike, për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik e të tjera.

 

Në arsyetimin e tij presidenti Ivanov, thekson se ligjet nuk i dekretoi sepse gjatë ushtrimit të funksionit, gjithmonë ka vepruar në bazë të betimit të dhënë se do të mbrojë kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë.

 

Kuvendi bëri të ditur se kreu i shtetit nuk i ka dekretuar as ligjet që ishin miratuar me dy të tretat e votave, që kryesisht kanë të bëjë me reformat në gjyqësor, e që konsiderohen si kyçe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

 

Ligjet janë miratuar pas 11 janarit, kur edhe ishin miratuar ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.

 

Ivanov e ka kundërshtuar Marrëveshjen për Emrin me Greqinë, të arritur më 17 qershor, 2018, duke thënë se ajo nuk është në interesa të shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re