Skip to content

2-vjeçari me tumor nuk e nis kimioterapinë pasi QSUT s’ka ilaçin, ‘Actinomycin D’ mungon në treg prej 2006! Duhet ta sigurojë Ministria e Shëndetësisë

1735138227 2vjecarimetumor 750x375 1

Një vogëlush 2-vjeçar i diagnostikuar me tumor në bark, pas ndërhyrjes kirurgjikale ka nevojë për kimioterapi, por sipas denoncimit të nënës së tij, ilaçi për kimio, mungon në Pediatrinë e Onkologjikut.

Sipas shqiptares.com, medikamenti Actinomycin D i cili përdoret në raste të veçanta për fëmijë me tumor nuk është importuar dhe nuk qarkullon në vendin tonë që prej vitit 2006.

Ky ilaç nuk rezulton në regjistrin e barnave pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, (institucion i cili  pajis subjektet farmaceutike me autorizim përdorimi për barnat që importohen). Kështu asnjë kompani nuk ka regjistruar, importuar e tregtuar në Shqipëri këtë medikament, duke sjellë mungesën e tij në vendin tonë.

Ndërkohë, Institucioni përgjegjës për sigurimin e barnave në Republikën e Shqipërisë është Ministria e Shëndetësisë. Për llogari te spitaleve, ministria kryen procedurat përkatëse dhe duhet të sigurojë barnat për të gjithë vendin.

Rasti u bë publik pas denoncimit të vetë nënës përmes rrjeteve social, e cila thotë se djali 2-vjeçar ka përfunduar ndërhyrjen kirurgjikale, por nuk mund të nisë kimioterapinë për shkak të mungesës së këtij medikamenti në QSUT. Nëna thotë se mjekët i kanë thënë në Pediatrinë e Onkologjikut, mungon ilaçi spitalor për kimio.

Gjendja është serioze, thonë nëna, e cila prej 11 ditësh ndodhet në pritje në spital dhe nëse nuk gjendet ilaçi, por tentohet për kimio me medikament tjetër, ulet përqindja e përmirësimit të gjendjes së të voglit.