Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jimmy Carter vdiq në moshën 100-vjeçare.

Carter ishte president i SHBA nga viti 1977 deri në 1981 si demokrat.

Ai ishte gjithashtu një fitues i çmimit Nobel për Paqen.

Ai vdiq të dielën në shtëpinë e tij në Plains, në shtetin amerikan të Xhorxhias, konfirmoi djali i tij James E. Carter III, raportoi Washington Post.

Jimmy Carter mbushi 100 vjeç në tetor dhe ishte presidenti më i vjetër i SHBA-së i të gjitha kohërave.

Jeta  e Jimmy Carter

Jimmy Carter, një fermer kikiriku nga Xhorxhia, u zgjodh presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, duke mundur kandidatin republikan Gerald Ford në zgjedhjet e vitit 1976. Por ai qëndroi në presidencë vetëm për një mandat (1977-81) pasi pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet pasuese ndaj ish-aktorit dhe guvernatorit republikan të Kalifornisë, Ronald Reagan.

Pika kryesore e mandatit të tij të vetëm ishte nënshkrimi, në 1978, i marrëveshjeve të paqes midis Izraelit dhe Egjiptit, të cilat sollën njëfarë stabiliteti në Lindjen e Mesme. Por në të njëjtën kohë ai u shënua nga recesioni i ekonomisë, popullariteti i tij i ulët dhe kriza e pengjeve që zgjati 444 ditët e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë.

James Earl Carter Jr. lindi më 1 tetor 1924 në Plains, Xhorxhia. Ai u diplomua në Akademinë Detare në 1946, shërbeu në programin e nëndetëseve bërthamore dhe la ushtrinë për të menaxhuar fermën familjare të kikirikut. Në vitin 1946 ai u martua me gruan e tij, Rosalyn, me të cilën pati tre djem dhe një vajzë. Ai e quajti martesën e tyre “gjëja më e rëndësishme në jetën e tij”.

Carter u bë milioner, u zgjodh në Dhomën e Shtetit të Xhorxhias dhe më pas u zgjodh guvernator i shtetit, midis viteve 1971-75. Ai shkroi më shumë se 24 libra, nga kujtimet e tij si president deri te tregimet dhe poezitë për fëmijë, si dhe vepra mbi diplomacinë dhe besimin e tij fetar.

Carter jetoi më gjatë se çdo president tjetër pas përfundimit të mandatit të tij. Në dekadat që pasuan, ai zhvilloi një reputacion si një ish-president më i mirë se sa ishte si president – ​​diçka që ai vetë e pranoi.

Kur Carter u largua nga Shtëpia e Bardhë, ai ishte shumë i papëlqyer nga amerikanët, megjithatë ai punoi fuqishëm për dekada për kauza humanitare. Në vitin 2002, atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe për “përpjekjet e tij të palodhura për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare, për të promovuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social”.

Carter, duke qenë guvernatori i Xhorxhias, ishte i dobët kur kandidoi për presidencën, në një kohë kur Amerika ishte ende e tronditur nga skandali Ëatergate dhe dorëheqja e presidentit republikan Richard Nixon. “Unë jam Jimmy Carter dhe po kandidoj për president. Nuk do t’ju zhgënjej kurrë”, u premtoi ai votuesve me një buzëqeshje të madhe. Kur u pyet për të vlerësuar presidencën e tij në një dokumentar të vitit 1991, ai tha: “Dështimi më i madh që patëm ishte politika. Unë kurrë nuk kam qenë në gjendje të bind popullin amerikan se kam qenë një udhëheqës i fortë”.

Ngjarjet dhe krizat që shënuan mandatin e tij

Lindja e Mesme ishte në qendër të politikës së tij të jashtme. Marrëveshja e paqes e vitit 1979, e bazuar në Marrëveshjet e Camp David, i dha fund gjendjes së luftës midis Egjiptit dhe Izraelit. Carter solli presidentin e atëhershëm egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministrin izraelit Menachem Begin në Camp David, rezidenca verore presidenciale, për bisedime. Më vonë, kur filloi të dukej se marrëveshjet po prisheshin, ai i shpëtoi duke shkuar vetë në Kajro dhe Jerusalem.

Me marrëveshjen, Izraeli u tërhoq nga Gadishulli i Sinait dhe të dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike. Dy udhëheqësit e tyre u nderuan me Çmimin Nobel për Paqen në 1978.

Megjithatë, deri në vitin 1980, çështjet dominuese ishin ekonomike: inflacioni dyshifror, normat e interesit mbi 20%, çmimi gjithnjë në rritje i gazit. Në të njëjtën kohë, kriza e pengjeve në Iran ishte e turpshme për Amerikën. Këto probleme dëmtuan presidencën e Carter dhe minuan shanset e tij për një mandat të dytë. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re