Skip to content

Anastas Janullatos i shtruar në spital në gjendje kritike për jetën, Spiropali: Ringriti dhe fuqizoi Kishën Orthodhokse në Shqipëri! I uroj shërim të shpejtë!

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, uron të gjithë shqiptarët e krishterë festën e Ditës së Ujit të Bekuar.

Krahas urimit të saj për këtë ditë të veçantë për të krishterët, Spiropali i uroi shërim të shpejtë kryepeshkopit të Shqipërisë, Anasats Janullatos, i cili ndodhet i shtruar në një spital në Athinë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

“Sot, në Ditën e Epifanisë, Festës së Ujit të Bekuar, bashkohem me urimin e besimtarëve të krishterë për shpresën te fuqia e urtësisë, mirëkuptimi, bekimi dhe lulëzimi i natyrës dhe shpirtit njerëzor.

I uroj shërim të shpejtë dhe kthim në shërbim ndaj besimtarëve Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, Kryepiskopit të Shqipërisë, i cili në rrethana jashtëzakonisht të vështira, ringriti dhe fuqizoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe është i njohur botërisht për dijet, përkushtimin dhe kontributin në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të komuniteteve fetare”, është mesazhi i kryetares së Kuvendit.

Dje Janullatosin e vizituan në spital kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë Ieronymos.

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u transportua nga vendi ynë drejt Greqisë pasditen e së premtes, ndodhet i shtruar në spitalin Evangelismos në gjendje kritike për jetën.

Sipas mediave greke, shëndeti i Kryepeshkopit është përkeqësuar mbrëmjen e së shtunës, ndërsa ekipi mjekësor i spitalit, i drejtuar nga profesoresha e Pulmologjisë dhe Kujdesit Intensiv, Anastasia Kotanidou, vijon monitorimin e tij.

Që prej datës 30 dhjetor, Kryepeshkopi Anastas ndodhej i shtruar në një spital në Tiranës për shkak të një viroze sezonale.

Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe u transportua në Athinë për mjekim të specializuar.

Transporti ajror u krye me një avion C-27 të Forcave Ajrore, ndërsa në krah të Kryepeshkopit ndodheshin një mjek dhe dy anëtarë të ekipit të personelit mjekësor fluturues të EKAV-së.

 

“”