Skip to content

Punësimi i ekselentëve në administratë, inkurajim angazhimit në dije

15 mars Kryeministri Edi Rama duke folur nga Berati në takimin “Për bashkinë që duam” u tha qytetarëve se punësimi i studentëve ekselentë në administratën publike do i japë fund dekurajimit të më të mirëve gjatë gjithë këtyre viteve. “Nuk ka më dekurajim, askush nuk do thotë se sado të kemi investuar nuk ka vend për mua se është miku e tepsia. Rrugë të gjatë kemi përpara po në këtë rrugë ka vetëm një fuqi që do ta çojë Shqipërinë në destinacion dhe ajo është Partia Socialiste”, – tha Kryeministri Rama.

“373 studentët e parë janë punësuar tashmë, pa i parë nga janë e të kujt janë, thjesht duke u parë notat. Ata janë në administratën e këtij shteti dhe vendet e lira do i plotësojmë me më të mirët”, – theksoi Rama, duke sjellë në vëmendje se kjo masë u mor nga qeveria pas protestës së studentëve edhe pse nuk u kërkua prej tyre.

“Sot jemi në fazën kur të gjithë studentët, pra familjet paguajnë 50 për qind më pak për fëmijët studentë. Ata që kanë fëmijët studentë me 9 dhe 10 apo me ndihmë ekonomike nuk paguajnë më asgjë, dhe marrin 100 mijë lekë bursë në muaj”, tha Kryeministri.

Ai shtoi edhe faktin e rindërtimit të konvikteve, punë që do shkojë deri në fund, ndërsa do ketë ndërhyrje në të gjitha universitetet për të rregulluar infrastrukturën. /j.p/