Policia e shtetit ka publikuar pamje nga brenda apartamentit në Astir, ku ndodhej 21-vjeçarja që alarmoi dje policinë.
Siç duket nga video brenda apartamentit janë gjetur armë zjarri, qese me shishe alkooli, pije energjike të konsumuara dhe një mjet identifikimi.
Përmes një njoftimi Policia e Tiranës njoftoi sot se identifikoi dhe shpalli në kërkim 5 persona që dyshohet se kanë mbajtur të mbyllur 21-vjeçaren Sajma Qordja në apartamentin e katit të 8-të në Astir.
“Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore”, informon policia, duke shtuar se vijon puna për kapjen e 5 personave të shpallur në kërkim.
Ndërkohë ishte marrë me qira ditore edhe një apartament përballë, ku shërbimet e policisë gjatë aksionit të djeshëm (9 Janar) gjetën 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.
Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
