Skip to content

Aksidenti tragjik me 179 viktima në Korenë e Jugut, dy kutitë e zeza të avionit ndaluan regjistrimin 4 minuta para rrëzimit

AP24366187767495 752x440 1

“Kutitë e zeza” të aeroplanit Jeju Air që u rrëzua më 29 dhjetor ndaluan regjistrimin rreth katër minuta para se të përplasej në aeroportin Muan në Korenë e Jugut, duke vrarë 179 nga 181 personat në bord, tha sot linja ajrore.

“Analiza e bërë zbuloi se regjistruesi i zërit të kabinës (CVR) dhe regjistruesi i të dhënave të fluturimit (FDR) nuk i regjistruan katër minutat para rrëzimit të aeroplanit”, u tha në një deklaratë.

Autoritetet që hetojnë tragjedinë ajrore, tani po shqyrtojnë shkakun që çoi në ndërprerjen e regjistrimit nga dy “kutitë e zeza” të Boeing.

Regjistruesi i zërit të kabinës u analizua fillimisht në Korenë e Jugut dhe më pas, kur u zbulua humbja e të dhënave, u dërgua në një laborator të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit në SHBA, tha në një deklaratë ministria e Transportit të Koresë së Jugut.

Regjistruesi i dëmtuar i të dhënave të fluturimit u dërgua në SHBA për analizë në bashkëpunim me rregullatorin përkatës të sigurisë amerikane, tha gjithashtu ministria.

Boeing 737-800 po udhëtonte nga Bangkok dhe u ul në aeroportin Moan në Korenë e Jugut ku u përplas me një strukturë betoni dhe shpërtheu në flakë.

179 nga 181 personat në bord humbën jetën. Vetëm dy stjuardesa i mbijetuan aksidentit, më i rëndi që ka ndodhur në Korenë e Jugut.