Berat: Operacioni Policor i Koduar “Oil” Vazhdon – Kapet Persona i Kërkuar
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Oil”, i cili ka për qëllim luftimin e krimit ekonomik dhe mashtrimeve, policia ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim.
Në vazhdim të hetimeve, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Berat, ka kapur dhe vënë në pranga shtetasin D. A., 29 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprat penale të “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mashtrimi me produktet ushqimore”, veprime të cilat janë kryer në bashkëpunim.
Operacioni ka nisur pas një denoncimi të datës 23.11.2024, nga gazetarët e emisionit investigativ “Stop”. Pas hetimeve të ndërmarra nga shërbimet e Policisë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit, është finalizuar operacioni “Oil”, i cili çoi në arrestimin e shtetasit A. A., babai i D. A.
Sipas hetimeve, ata kishin krijuar një ambient të përshtatshëm në banesën e tyre ku përgatisnin përzierje vajrash të ndryshëm dhe produkteve të panjohura, të cilat më pas i reklamonin dhe shisnin si vaj ulliri bio në faqen e njohur të Facebook-ut, “Vaj Ulliri Bio Jugu”.
Materialet hetimore janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për hetime të mëtejshme.
