Skip to content

Putin përgëzon Trumpin. “Do të shmangë një luftë të tretë botërore. Rusia është e hapur për dialog për Ukrainën”

Green Organic Warm Food and Restaurant Bio Link Website 27

 – Në ditën e inaugurimit të tij si President i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mori urime nga homologu i tij rus Vladimir Putin. Lideri i Kremlinit, i cili asnjëherë nuk e ka fshehur mbështetjen e tij për kthimin e manjatit në Shtëpinë e Bardhë, e tha këtë sot gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për marrëdhëniet me Uashingtonin, raportojnë mediat ruse.

Trump, nga ana e tij, synon të flasë me të me telefon pas betimit, raportoi CNN, për të vlerësuar mundësinë e një takimi me carin në muajt e ardhshëm për të diskutuar paqen në Ukrainë. Përfundimi i konfliktit në Ukrainë ishte një nga premtimet e manjatit gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump kishte pretenduar se mund t’i jepte fund luftës brenda një dite pas marrjes së detyrës. Për Putinin ka një zgjidhje, por ajo është e qartë:

Moska duhet të  mbajë Donbasin në krahun e saj mbrojtës (dhe të vazhdojë të mbajë Krimenë) dhe qeveria në Kiev të ndryshojë.

Putin pranoi se Trump “tregoi guxim dhe fitoi një fitore bindëse në zgjedhje” dhe më pas shtoi se Rusia “mirëpret qëndrimin e presidentit të ri amerikan dhe fjalët e tij për nevojën për të bërë gjithçka për të shmangur një luftë të tretë botërore”. Një ndryshim kursi në krahasim me Biden, Putin nënvizoi: “Ne shohim deklaratat e presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të ekipit të tij për dëshirën për të rivendosur kontaktet e drejtpërdrejta me Rusinë, të ndërprera pa fajin tonë nga administrata në largim”.

Cari përsëriti se Rusia është “e hapur për dialog” me Shtetet e Bashkuara për Ukrainën. “Gjëja më e rëndësishme është eliminimi i shkaqeve rrënjësore të krizës.” Presidenti shtoi: “Për sa i përket zgjidhjes së situatës, dua të theksoj edhe një herë se objektivi i saj nuk duhet të jetë një armëpushim i shkurtër, as një pauzë e përkohshme për rigrupimin e forcave dhe riarmatimin me qëllim rifillimin e konfliktit, por një paqe e qëndrueshme e bazuar në respektimin e interesave legjitime të të gjithë personave dhe popujve që jetojnë në këtë rajon”.

Përshtati në shqip V.K.