Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në Report Tv komenton rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa sot u betua si presidenti i 47-të i SHBA.
Juristi Kreshnik Spahiu ka folur për rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa sot ai u betua si presidenti i 47-të i SHBA. Spahiu ndalet veçanërisht tek politika e Trump për emigrantët, duke thënë se dëbimet masive që ka paralajmëruar mund të prekin edhe emigrantët shqiptarë.
Spahiu ka thënë se shumë shqiptarë mund të dëbohen dhe të ndahen nga fëmijët e tyre.
“Kur vjen çështja e qëndrimit dhe diskursit që ka në raport me emigrantët, të gjithë shqiptarët në SHBA 90% janë emigrantë. Janë mijëra shqiptarë që ende s’kanë marrë green card dhe rrezikojnë të dëbohen nga familjet e tyre. Askush nuk merr sot kurajon të thotë se kush do jetë fati i qindra shqiptarëve emigrantë që s’kanë green card dhe janë në proces pritjeje. Përballë një realiteti të një politike kaq drastike kundër të huajve, s’kam si të mos shqetësohem për shumë shqiptarë që mund të dëbohen dhe të ndahen sot nga fëmijët e tyre dhe të kthehen brenda 24 orësh në Shqipëri apo të çohen në Meksikë në kampe duke pritur”, tha Spahiu .
Juristi Kreshnik Spahiu duke komentuar betimin e presidentit të SHBA, Donald Trump, ndalet edhe tek Elon Musk, i cili do të jetë pjesë e kabinetit. Spahiu thotë se uron që Elon Musk të mos ndërhyjë në gjithë botën si George Soros.
“Ajo që Elon Musk po shfaq është një lloj arrogance, një lloj ndërhyrjeje. Unë do bëja një pyetje për teleshikuesit, nëse do dalë Musk e do thotë votoni këtë parti në Shqipëri apo në Kosovë, si do sillen votuesit shqiptarë apo në Kosovë. Të jeni të bindur që gjysma do jenë kundër Musk apo administratës amerikane se nuk duron njeri ndërhyje në punët e brendshme. Ju e keni parë që një kritikë bëhet ndaj Kurtit dhe gjithë Vetëvendosja bëhet kundër Amerikës. Një shpallje non grata bëhet në PD dhe gjithë demokratë nxijnë blogjet kundër administratës amerikane. Imagjinoni të ndërhyjnë në zgjedhjet e vendit tonë”, tha Spahiu.
Kreshnik Spahiu thotë se presidenti i SHBA, Donald Trump synon një rend të ri botëror. Duke iu referuar fjalimit të Trump që nuk përmendi Ballkanin, Spahiu thotë se presidenti amerikan mund të mos e ketë fare në axhendë Shqipërinë. Por sipas tij, ai do të emërojë një ambasadore fuqiplotë si Yuri Kim.
“Nëse do i referohemi fjalimit, duhet të ulim pak pritshmëritë tona, se Trump jo vetëm që s’iu referua Shqipërisë e Ballkanit, por as Europës. Në fjalim nuk përmendi kurrë BE dhe u fokusua 100% në ringritjen dhe fuqizimin e SHBA. Nëse ne do t’i referohemi fjalës së Trump si një diskurs që do ndjekë në mandatin e dytë, mund të kuptojmë jo që do jemi periferik, por ndoshta mund të mos jemi kurrë në axhendën e Trump. Parashikoj që s’do e këtë Shqipërinë në asnjë moment në axhendë, do dërgojë një ambasadore si Kim me kompetenca fuqiplota. Në këtë kontekst do thoja të mos presim shumë, nuk ka ftesa fare nga Ballkani për ceremoninë e Trump. S’ka as nga Kosova, Mali i zi, pothuajse Ballkani është i papërfillshëm, siç ka qenë edhe Europa. Janë shmangur nga protokolli i Trump, ajo çfarë mund të themi me bindje është se Trum synon të vendosë një rend të ri botëror. Aty ku vendoset rendi i ri botëror, mund të jesh me fat të mirë dhe të keq”, vijoi Spahiu.
