Xhevdet Plaku, i njohur si kapo i drogës me 25 identitete është arratisur nga burgu në Itali. 44-vjeçari u zhduk pasi doli nga burgu Barcaglione në Ankona për të hedhur mbeturinat.
Xhevdet Plaku
Ngjarja raportohet se ka ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, ndërsa shqiptari ishte i ndaluar prej një viti e gjysmë dhe vuante dënimin për trafik droge.
Ai kishte për detyrë të pastronte kazermat e agjentëve dhe zyrat e menaxhimit dhe, duke përfituar nga regjimi i paraburgimit të nenit 21, gëzonte lirinë e lëvizjes jashtë burgut pa shoqërim, deri mëngjesin e së enjtes (23 Janar) kur rreth orës 08:00 doli për të hedhur mbeturinat dhe nuk u kthye më.
Kur u krye kontrolli tre orë më vonë, Xhevdet Plaku nuk iu përgjigj thirrjes dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.
Shqiptari dyshohet se është kreu i një bande shqiptarësh që trafikonin kokainë drejt Holandës dhe Belgjikës.
Në Borghetto Santo Spirito (Savona), në qershor 2000, ai u arrestua për vrasjen e një bashkatdhetari, por u lirua në vitin 2014 dhe u zhduk. Më pas u rishfaq në Holandë, nga ku u ekstradua në Itali.
Ai është në kërkim edhe në Shqipëri, ku u dënua me 22 vjet burg për vrasjen e një shqiptari tjetër në Durrës në qershor 2003.
Por, kush është Xhevdet Plaku?
Xhevdet Plaku, 44-vjeç, njihet si koka e një grupi kriminal të trafikut të drogës në Itali. Lënda narkotike, kokainë, importohej nga Belgjika dhe Holanda.
Në këtë aktivitet, sipas policisë Italiane, ai përdorte 25 identitete të ndryshme për të mos u kapir nga kontrollet dhe drejtonte organizatën përmes udhëtimeve të shumta që bënte në Amsterdam.
Banda i ndante pakot e drogës në bazë të cilësisë dhe sipas saj kishin edhe emërtimet, sipas markave të botës së luksit. Kokaina më e pastër ishte “Hermes”, pastaj kishte “Lacoste”, “G4”, “Rolls royce” dhe “Play Boy”.
Plaku gjithashtu ka qenë dënuar për një vrasje të kryer shumë vite më parë në Durrës. Gjithashtu ishte akuzuar për një tjetër vrasje, për të cilën u shpall i pafajshëm.
Sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, më 24 qershor të vitit 2003, në Lagjen Nr.15, në zonën e Spitallës, Xhevdet Plaku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Saimir Sina.
Autori dhe viktima kanë qenë banorë të së njëjtës lagje dhe kanë pasur shoqëri me njëri-tjetrin. Duke qenë se Xhevdet Plaku ka qenë emigrant në Itali, Saimir Sina ishte në dijeni të faktit se ai kishte të dashur shtetasen Nertila K. Dhe, duke përfituar dhe nga njohja personale me këtë vajzë, i ka propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për t’u bashkuar me të dashurin e saj.
Vajza e ka pranuar këtë propozim dhe, në muajin korrik të vitit 2001, Sina, së bashku me një person tjetër, e kanë çuar Nertilën në Itali, duke ndryshuar destinacionin për të cilin ranë dakord.
E dëmtuara është dërguar në Romë, ku dhe e kanë detyruar forcërisht që të ushtronte prostitucion për llogari të tyre. Shtetasja Nertila K. është kthyer në Shqipëri në dhjetor të vitit 2001 dhe ka paraqitur kallëzim penal për ngjarjen e mësipërme.
Gjykata e Durrësit e deklaroi fajtor shtetasin Saimir Sina dhe e dënoi me 1 vit e 6 muaj burg. Në këtë kohë Xhevdet Plaku, pasi është vënë në dijeni të veprimeve të Saimir Sinës ndaj të dashurës së tij, ka vendosur të hakmerret, plan të cilin e ka konkretizuar disa ditë pas daljes së Saimirit nga burgu.
Mbrëmjen e 24 qershorit të vitit 2003, pasi e kishte vëzhguar dhe ruajtur për disa ditë me radhë, Plaku ka shkuar me makinën e tij afër banesës së Sinës, i cili në atë moment ishte i shoqëruar nga i vëllai dhe disa shokë të tjerë.
I dënuari e ka thirrur viktimën dhe pas një debati të shkurtër me fjalë, në momentin kur ai ka marrë rrugën për t’u larguar, e ka qëlluar tri herë me pistoletën që e mbante pa leje, duke i shkaktuar vdekjen.