Grupi i trete i emigranteve te mberritur nga Italia ne Shqipri po kthehen pas si pasoje e vendimeve gjyqesore.
Nderkohe qe për të tretën herë, përpjekja e Giorgia Melonit për të strehuar në Shqipëri emigrantët e paligjshëm në proces verifikimi të kërkesave për azil, u rrëzua dhe kryeministria italiane, duket vërtet e nxehur.
U vendos që brenda 24 orësh, ata të transferoheshin sërish në Itali. Ashtu si dhe në dy rastet e mëparshme, në tetor dhe nëntor, Gjykata ka ngritur pikëpyetje mbi përfshirjen e Bangladeshit dhe Egjiptit, në listën e “vendeve të sigurta”, duke kërkuar që të pritet interpretimi për çështjen, nga Gjykata europiane e Drejtësisë, e cila do të duhet të shprehet më 25 shkurt.
Ndërsa përballej me këtë bllokadë, Melonit iu desh t`i përgjigjej edhe prokurorëve që janë duke e hetuar për favorizim dhe shpërdorim detyre, lidhur me riatdhesimin e gjeneralit libian Osama Njeem Almasri, komandant i burgut Mitiga, i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Për kryeministren italiane, njerëzit e ligjit që i janë hedhur kundër, nuk po përpiqen të bëjnë punën e tyre, por të drejtojnë vendin.
“Nëse duan të qeverisin, atëherë le të kandidojnë. Vetëm se ka një problem. Nëse bëj unë një gabim, italianët do të më dërgojnë në shtëpi. Nëse ata bëjnë një gabim, askush nuk mund të bëjë apo të thotë asgjë.
Asnjë fuqi në botë, në një shtet demokratik, nuk funksionon kështu. Për këtë janë kundërpeshat. Kur një pushtet shtetëror mendon se mund të bëjë pa të tjerët, sistemi shembet”, u shpreh ajo, ndërsa përcolli me bindje mesazhin se populli italian e do atë dhe mënyrën e saj të qeverisjes, në të kundërt do ta rrezojnë qeverinë.
