Gjatë mbledhjes së qeverisë është vendosur ngritja e dy komisioneve atij të Disiplinës dhe atij të Apelimit, të cilat në fokus kanë shqyrtimin e akuzave të ngritura kundrejt mjekëve për neglizhencë ndaj pacientëve.

Ashtu si dhe është përpiluar në vendimin zyrtar nga qeveria, Komisioni i Disiplinës do të funksionojë pranë Urdhrit të Mjekëve dhe përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët kanë përvojë në fushën e mjekësisë ose në fushën juridike.
a) 3 (tre) përfaqësues të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve, me përvojë apo specializim në çështje të etikës dhe të deontologjisë mjekësore;
b) 1 (një) përfaqësues i emëruar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, me njohuri në fushën shëndetësore ose në procedurat administrative;
c) Shefi i shërbimit të specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.
Kryetari i këtij komisioni do të miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve, ndërkohë për të qenë anëtar i Komisionit do të duhet të përmbushësh kriteret të cilat janë: “jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde, që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit”.
Komisioni i Disiplinës ka për qëllim që të shqyrtojë ankesat në lidhje me veprimet e kryera nga mjekët gjatë ushtrimit të detyrës, që bien ndesh me parimet e etikës profesionale apo Kodin e Deontologjisë Mjekësore.
Ndërkohë, Komisioni i Apelimit do të ngrihet pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të përbëhet nga pesë anëtarë.
a) 2 (dy) përfaqësues të zgjedhur nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;
b) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Urdhri i Mjekëve;
c) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Fakulteti i Mjekësisë;
ç) 1 (një) ekspert i jashtëm, i specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.
Ky Komision do të ketë për detyrë shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të Komisionit të Disiplinës duke siguruar një vlerësim të pavarur, duke përfshirë seanca dëgjimore dhe mbledhje provash të nevojshme.
Sa i përket kritereve që anëtarët e Komisionit të Apelimit duhet të kenë janë: “të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit”.
Mandati i tyre është dy vjet, me të drejtë rizgjedhje dhe ata do të qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re