Çështja e ndryshimit të kufijve vazhdon të komentohet jo vetëm nga politikanët e Kosovës dhe të Serbisë por edhe nga amabasadorë të ndryshëm ndërkombëtar.
Së fundi për këtë temë ka folur edhe ambasadori francez në Beograd Frederick Mondoloni. Ai ka thënë se shteti i tij nuk ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për zgjidhjen e kontestit Serbi – Kosovë, dhe se do të pranojnë çdo për të cilën merren vesh këto dy vende.
“Ne nuk jemi për ose kundër (ndryshimit të kufijve). Nëse zgjidhja është e pranueshme për të dy palët dhe sjell stabilitet për rajonin, për ne është e pranueshme”.
Ai ka shtuar se çështja e Kosovës nuk bën ta bllokojë integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Kujtojmë se “ndryshimi i kufijve” prej muajsh po përplas skenën politike në vend, konkretisht presidentin Thaçi me partitë opozitare, pasi këto të fundit e akuzojnë kreun e shtetit se me idenë e tij po synon ta ndajë Kosovën.
Ndërkohë në intervistën e tij më të fundit presidenti Thaçi, ka deklaruar se ka dallim ideja e “korrigjimit të kufijve” me atë të “shkëmbimit të territorit”, të cilën e quajti pazar me shtetin.
”Ideja ime është shumë e qartë. Serbia me vite e me vite flet për ndarjen e Kosovës. Dhe ne është dashur t’i përgjigjemi Serbisë. Dhe nëse diçka e tillë i lejohet Beogradit pa u refuzuar, atëherë do ta marrë përgjigjen për korrigjimin e kufijve. Korrigjimi nënkupton Kosovën e pavarur dhe sovrane – me bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Askush të mos e përziejë idenë time të korrigjimit të kufijve me atë të shkëmbimit të territoreve. Për mua, siç e kam theksuar çdo herë, shkëmbimi është Pazar. Jam kundër asaj ideje”.