Detaje të reja dalin nga ngjarja e dyfishtë në Shkodër ku 34-vjeçari Kolë Manaj dyshohet se ka qëlluar të dashurën me armë zjarri dhe më pas ka vrarë veten.
Kanë qenë kalimtarë të rastit që kanë parë dy të rinjtë brenda makinës tip Volkswagen në lagjen “Mark Lula” dhe njoftuan policinë.
Vajza, e identifikuar si Anila Prendushi, është dërguar me ambulancë në spital në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa i dashuri i saj, 34-vjeçari Kolë Manaj ka ndërruar jetë në makinë.
Sipas të dhënave paraprake, i riu ka qëlluar të dashurën me plumb në kokë dhe më pas veten, ndërsa arma e dyshuar e krimit është gjetur në mjet.
Ndërkohë policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.
Dyshohet se fillimisht ka pasur konflikt mes djalit dhe vajzës brenda makinës, e më pas janë dëgjuar të shtënat me armë zjarri.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 11:15, në lagjen “Mark Lula”, janë gjetur në një automjet, shtetasi K. M., 34 vjeç dhe shtetasja A. P., me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Shtetasi K. M. ka humbur jetën, ndërsa shtetasja A. P. është dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për rastin.
Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
