Tre shqiptarë janë arrestuar pas çmontimit të organizatës kriminale, që trafikonte drogë nga Vlora në Europë, me bazë në Romë.
Të arrestuarit; Anxhelo Ajazaj, Klarens Dalipaj alias Dhrami, Xhino Hamitaj dhe Eurel Liçaj, ndodhet në burgun e Rrogozhines i arrestuar më parë, nuk janë emëra të panjohur për policinë.
Eurel Liçaj është arrestuar në dhjetor të vitit 2023 në Vlorë, pasi në muajin korrik të vitit 2022, pas një konflikti të çastit, ka kanosur një 59-vjeçar, duke qëlluar në ajër, me armë zjarri pistoletë, të cilën e posedonte pa leje. Për këtë ngjarje vijon të jetë në burgun e Rrogozhinës.
LEXO EDHE: Çmontohet grupi ndërkombëtar i trafikut të drogës, dhjetëra arrestime mes Italisë, Shqipërisë dhe Spanjës! Lënda narkotike importohej nga Vlora dhe shpërndahej në Europë
“Kanosi një shtetas, duke qëlluar në ajër, me armë zjarri pistoletë, kapet nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, 41-vjeçari i shpallur në kërkim. Pistoleta, të cilën 41-vjeçari e posedonte pa leje, është gjetur sekuestruar nga Policia, pas ngjarjes. Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe të kryera në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialitët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim: Eurel Liçaj, 41 vjeç, banues në Vlorë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”, pasi ky shtetas, në muajin korrik të vitit 2022, pas një konflikti të çastit, ka kanosur një 59-vjeçar, duke qëlluar në ajër, me armë zjarri pistoletë, të cilën e posedonte pa leje”, thuhej në njoftimin e policisë.
Edhe Klarens Dalipaj rezulton me precedent penal të mëparshëm. Ai është vënë në prangat e policisë në vitin 2015 pasi pas një kontrolli, iu gjetën në çantë dhe në veshje 18 doza marijuanë, 2 aparate celularë dhe një sasi e konsiderueshme parash kesh. Lënda narkotike e sekuestruar peshonte 15.8gr.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet në Shqipëri dhe në Itali, operacioni ndërkombëtar i koduar “Alba Tibus”, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni në Shqipëri u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe në koordinim me homologët italianë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, Karabinierinë e Romës, Parioli, dhe me Drejtorinë e Interpolit.
Akuzohen për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal në Itali, për trafikim të Cannabisit, lokalizohen, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas shqiptarë.
Hetimet e përbashkëta identifikojnë dhe një tjetër pjesëtar të grupit, i cili aktualisht po vuan dënim në IEVP Rrogozhinë.
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Tibus.Al”, u vunë në pranga shtetasit A. A., 27 vjeç, K. D. alias K. Dh., 30 vjeç dhe Xh. H., 30 vjeç. Ata dhe shtetasi E. L. që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të vijuar bashkëpunimin me partnerët, për veprime të përbashkëta hetimore dhe operacionale, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit të organizuar dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
OPERACIONI
Një operacion i madh anti-drogë është zhvilluar nga policia e Romës, duke çuar në arrestimin e 27 personave në Itali, Shqipëri dhe Spanjë.
Operacioni, i koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Anti-Mafia (DDA) , çmontoi një organizatë kriminale që përdorte Qendrën e Pritjes së Jashtëzakonshme në Via della Riserva Nuova në Romë si bazë për ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës.
Hetimi zbuloi se objekti ishte gjithashtu një vend rekrutimi për migrantët nigerianë, mbajtës të lejeve të qëndrimit të përkohshëm, të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Të arrestuarit akuzohen, në shkallë të ndryshme, për trafik droge, posedim dhe furnizim me lëndë narkotike, zhvatje, armëmbajtje pa leje dhe regjistrim fiktive të pasurisë.
Masa parashikon arrest me burg për 20 persona dhe arrest shtëpiak për 7 të tjerë. Hetimi i kryer nga Karabinierët e Kompanisë Rome Parioli me mbështetjen e Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës.
Sasitë e mëdha të marijuanës importoheshin nga Vlora (Shqipëri) dhe shpërndaheshin në të gjithë Europën falë një aleance mes grupeve kriminale shqiptare dhe nigeriane.
Organizata transportonte drogën duke përdorur transportin publik.
Mediat italiane raportojnë se falë bashkëpunimit me policinë lokale dhe mbështetjen e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale dhe Interpolit, disa arrestime u bënë në Vlorë dhe në provincën e Barcelonës.
