Skip to content

“Çdo emigrant 5 vite pa taksa”, Berisha zbulon nismën për të kthyer shqiptarët në atdhe dhe programin për mbrojtjen e familjes

640 0 sali berisha 3 1024x683 1739993335

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit të PD-së për mbrojtjen e familjes kundër shpopullimit, paraqiti “Paketën e Emergjencës”, në të cilën vendos në fokus një sërë problematikash që prekin familjen shqiptare, e cila sipas tij është lënë pas dore me qeverinë aktuale të kryeministrit Edi Rama.

Fillimisht, kryedemokrati u ndal tek ndihma ekonomike me të cilën mbështeten qytetarët, duke marrë shembullin e qarkut të Kukësit, ku sipas Berishës, Rama ndëshkoi me ardhjen në pushtet të gjithë ata që nuk votuan pro Partisë Socialiste.

Më tej, Berisha shtoi se Shqipëria me rikthimin e opozitës në pushtet do t’u garantojë shqiptarëve ndihmën ekonomike që në tre muajit e parë.

  • “Kjo përpjekje, ky objektiv, për një familje të fortë, për një familje të konsoliduar, për një familje plot jetë, kërkon një përballje shumë planëshe. Prapë unë theksoj, e para varfëria. Në qoftë se ne nuk i bëjmë me urgjencë një sulm frontal varfërisë ekstreme, shqiptarët në qindra dhe mijëra do të vazhdojnë të ikin nga Shqipëria dhe familja shqiptare do zvogëlohet dhe do jetë gjithnjë në vështirësi. Ndaj dhe ajo paketë, që ne e kemi quajtur Paketë Emergjence ka një synim. Të zhdukë varfërinë ekstreme. Nuk zhduk varfërinë ajo se varfëria ekziston në çdo vend, por varfëria ekstreme në një vend me situatën ekonomike të Shqipërisë ekziston vetëm sepse ai vend vidhet, vidhet dhe vetëm vidhet nga qeveritarët. Asnjë shkak, asnjë arsye, nuk ka që kjo varfëri të ekzistojë. Ju them unë, çfarë ndodhi në Kukës? Sapo erdhi në pushtet Edi Rama hoqi ndihmën ekonomike për 20 mijë banorë në Kukës sepse votuan kundër, sepse qarku votoi kundër Partisë Socialiste. Mirëpo, ata që e njohin Kukësin e dinë që përveç pak fshatrave, fare pak fshatrave, në përgjithësi fshatrat e atij qarku, janë fshatrat me më pak tokë. Janë fshatra të cilat pa ndihmë ekonomike nuk mund të jetojnë banorët. Dhe cila ishte Shqipëria në atë vit? Shqipëria atë vit duhet të shtonte, kishte 120 mijë qytetarë me ndihmë ekonomike, duhet të shtonte të paktën edhe 60 mijë të tjerë me regjistër. Dhe po të shtonte dhe këta 60 mijë, dhe ndihmën ekonomike, Shqipëria do realizonte atë që do realizojmë ne tani. E përjashtonte varfërinë ekstreme apo mjerimin. Përkundrazi, ato erdhën duke u thelluar dhe sot në një kohë kur 41% e popullatës janë në rrezik varfërie dhe janë varfëri, ndihmë ekonomike marrin gjithsej 61 mijë qytetarë. E gjitha kjo është një qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve dhe kjo merr fund në tre muajit e parë të qeverisjes sonë”, tha Sali Berisha.

Rikthimin në pushtet, Berisha e sheh si një mundësi për të rindërtuar sipas tij ëndrrën shqiptare, duke mbështetur familjet me fonde ekstra, por edhe për të rikthyer qindra mijëra shqiptarë që janë larguar vendi.

“Këta qindra mijëra shqiptarë që janë larguar nga ky vend, ka prej tyre që janë të kualifikuar, ka prej tyre që janë biznesmenë, sot shumë të suksesshëm në ato vende. Të tjerë studiues, shkencëtarë, ekspertë, specialistë. Por shumica dërrmuese e tyre janë punëtorë, njerëz të thjeshtë, të cilët rrinë në ato vende sepse marrin një rrogë më të mirë, paguhet më mirë puna e tyre. Punojnë në bujqësi, punojnë në punë të rënda, ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka që ata të kthehen në Shqipëri. Kursimet e tyre të kenë sukses në këtë vend.”

Gjatë prezantimit të programit qeverisës 2025-2029, Berisha është ndalur në veçanti te shqiptarët e kualifikuar që janë larguar nga vendi.

Ai u shpreh se qeveria e djathtë do të ndihmojë emigrantët që kthehen duke alookuar kredi të buta, grante, por edhe përmes nismës 5 vite pa taksa.

  • “Një periudhë prej 5 vitesh do jetë pa taksa. Por nuk përbën vetëm kjo një masë për kthimin e tyre të butë në Shqipëri. Duhen kredi të favorshme, duhen grante për start-upet e tyre. Pra, në qoftë se në vitet 2009-2013 u rikthyen rreth 180 mijë emigrantë, ne duhet të bëjmë gjithçka për një përmbysje të shpejtë të situatës aktuale që të fillojë rikthimi i tyre. Programi në këtë fushë, ose suksesi i programit tonë në këtë fushë, është dhe barometri më kryesor i arritjes së objektivave të qeverisë sonë të ardhshme.”

Berisha gjithashtu tha se çdo familje shqiptare do të asistohet nga qeveria për fëmijën e parë me pagesë të përmuajshme. Sipas kreut të PD për fëmijën e dytë dhe të tretë, nga lindja deri në moshën 23 vjeçare do të merret përsipër tërësisht nga shteti.