Sipas një studimi, njerëzit që përdorin ilaçet për humbjen e peshës dhe diabetin, Wegovy dhe Ozempic mund të jenë në rrezik më të lartë të verbërisë së një syri, nga një sëmundje e rrallë.
Mjekët amerikanë, të cilët gjurmuan më shumë se 37 milionë njerëz, thanë se këto injeksione i vendosin përdoruesit në rrezik më të lartë të neuropatisë optike ishemike anteriore jo-arteritike (NAION), një gjendje e syrit që nuk shkakton dhimbje, por nuk mund të trajtohet, ose të kurohet.
Gjendja, e njohur edhe si ‘goditja në sy’, ndodh kur enët që furnizojnë me gjak nervin optik bllokohen, duke e privuar atë nga oksigjeni, që rezulton në dëmtim të të gjithë ose një pjese të nervit.
Mjekët paralajmëruan se kërkimet e mëtejshme janë jetike për të vërtetuar më tej lidhjen dhe thanë se nuk mund të ishin të sigurt pse ilaçet, të njohura kolektivisht si agonistët GLP-1, mund të shkaktojnë gjendjen.
Këto të dhëna vijnë pas një studim të publikuar muajin e kaluar, i cili përshkruante raste të nëntë pacientëve amerikanë, që u verbëruan pasi morën semaglutide ose tirzepatide, përbërësi aktiv në Mounjaro, një tjetër ilaç popullor për humbje peshe.
Në atë kohë, ekspertët thanë se ndërsa shkaku i saktë ishte i paqartë, rënia e shpejtë e sheqerit në gjak e shkaktuar nga ilaçi mund të dëmtonte enët e gjakut në sy.
Kjo ndodh për shkak se ndryshimi i papritur i presionit mund të shkaktojë rrjedhjen e lëngjeve nga enët delikate të gjakut në retinë, duke çuar në ënjtje dhe dëmtim.
Rreth gjysmë milioni njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe rreth 15 milionë në SHBA mendohet se po përdorin gjilpëra, të cilat mund t’i ndihmojnë ata të humbin deri në 20 për qind të peshës së tyre trupore në vetëm disa muaj.
Duke shkruar në revistën JAMA Ophthalmology, studiuesit thanë: “Ne kemi vërejtur një rritje të rrezikut NAION me ekspozimin ndaj semaglutideve. Gjithashtu evidentuam një ‘rrezik në rritje’ midis atyre që merrnin semaglutide në krahasim me ‘përdoruesit e barnave jo-GLP-1 empagliflozin dhe sitagliptin’”.
Aktualisht nuk ka trajtime për NAION, e cila prek rreth një në 10,000 njerëz.
Ndryshe nga goditjet e tjera të shkaktuara nga një humbje e furnizimit me gjak, nuk ka dobësi, mpirje ose humbje të të folurit. Njerëzit zakonisht pësojnë humbje të papritur të shikimit në njërin sy, pa asnjë dhimbje, dhe pacientët shpesh e vërejnë problemin kur zgjohen./ Përshtaur nga dailymail.co.uk