Kryeministri Edi Rama foli sot në rubrikën “Sy m’ Sy” për panairin e parë të punës në Athinë që do të zhvillohet më 2 mars, teksa ftoi shqiptarët e Greqisë të investojnë në atdheun e tyre.
Rama iu përgjigj ndër të tjera komenteve të ndjekësve në Facebook.
Një ndër komente ndaj Ramës kishte të bënte me problemin e pronave të ndërtuara pa leje.
Ram tha se “ndërtimet e bëra në pronën e të tjerëve apo dhe në tënden ke shumë të drejtë. Këtë e kemi peshqesh nga këneta jonë që e bëri Shqipërinë lesh e li, por dhe kjo hap pas hapi po vihet në vend dhe brenda kohës së negociatave me Bashkimin Europian do ta mbyllim dhe këtë plagë të madhe që e trashëguam nga këneta jonë dhe Shqipëria 2030 nuk do ta ketë më këtë problem”.
Ndërkohë në komentin lidhur me pjesën e ujit në Shqipëri Rama u përgjigj:
“Tirana, i dashur, ka 24 orë ujë në 67% të territorit dhe 17 orë ujë mesatarisht në pjesën tjetër, ndërkohë që vazhdojnë investimet këtu në Tiranë dhe vazhdojnë në tërë Shqipërinë ku, të merremi vesh, nuk ka pasur 24 orë ujë kurrë, asnjëherë, as në kohën e komunizmit dhe ku sot shtohen vijimësisht zonat me 24 orë ujë, ndërkohë që kur ne morëm detyrën askund, në asnjë zonë nuk kishte 24 orë ujë.
Sa për tërë Shqipërinë vetëm me pleq, shiko se mos ka më shumë pleq Greqia sesa Shqipëria meqë ra fjala dhe kur t’i gjesh në Greqi fshatrat e mbushur me rini, të lutem postoi t’i shohim edhe ne këtu pleqtë e Shqipërisë, por një gjë di unë; në turizëm në ndërtim, në radhë të parë, del më mirë hesapi po të punosh këtu sesa të punosh atje. Prandaj dhe po e bëjmë Panairin e parë, je i ftuar, do të prezantojmë dhe portalin e vendeve të punës aty ku shqiptarët e Europës kane zemrën, në Shqipëri”.