Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi ka qëndruar për 90 minuta në ambientet SPAK. Në përfundim ai ka deklaruar se është pyetur nëse ka dijeni pasi gjatë një aktiviteti në Rrogozhinë është takuar me një person që ka qenë nën përgjim.
Ai u shpreh për mediat se është normale që SPAK të thërrasë politikanët.
“Është normale të na thërrasë prokuroria. Kam bërë një takim në Rrogozhinë unë dhe personi që kam takuar ka qenë në përgjim. Kaq, a ke dijeni, pyetën”, tha Tom Doshi.
Ndërsa i pyetur nëse do të votojë për shkrirjen e SPAK, ai u përgjigj: Asnjëherë. E kam mbështetur reformën në drejtësi dhe deputetët tonë edhe sot, edhe në mandatin tjetër do ta mbështesin SPAK”
Sjellim në vëmendje se në zgjedhjet e 11 majit, Tom Doshi pritet që të kandidojë sërish në qarkun e Shkodrës, detaj të cilin e ka bërë vetë me dije.
Kujtojmë që në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia ndaluan udhëtimin në Amerikë atij dhe familjes, për shkak “të përfshirjes në korrupsion të përmasave të gjëra.”
