Gazetari Elkier Bushkolaj, foli në studion e “Open” në News 24 , për arrestimin e Safet Bajrit.
Gazetari tha se Bajri shkoi vetë në policinë e Shkodrës pasi u thërrit nga prokurorët e SPAK që të bënte një test ADN lidhur me ngjarjen e Rranxës, për të cilën ai ishte i sigurt se do dilte i “pastër”.
Por me të shkuar në polici atij iu komunikua masa e arrestit, e për rrjedhojë ai u dërgua nën masa të rrepta sigurie në Tiranë.
Gazetari tha se Safet Bajri u josh përmes një kërkese për një test ADN-je, i lidhur me atentatin në Rranxë. Arrestimi ndodhi pasi SPAK e lidh Safet Bajrin me vrasjen e Fatbardh Licit, një nga ngjarjet që ka tronditur Shkodrën, ku dyshohet se ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt.
Bushkolaj: Ai ishte shumë i sigurt, pasi e sqaroi përfshirjen e tij në raport me ngjarjen e Rranxës ku ka pasur një atentat. Dyshimet janë se në automjetin e autorëve të ketë qenë dhe Safet Bajri. Prokurorët e SPAK kanë kërkuar një ADN me justifikimin e ADN kanë kërkuar që Safet Bajri të paraqitet në policinë e Shkodrës. Bajri ka shkuar dhe është paraqitur vetë në policinë e Shkodrës ku i është komunikuar arrestimi dhe më pas është sjellë drejt Tiranës. Në dosjen “Metamorfoza” nuk rezultonin të dhëna për konfliktin mes fiseve Bajri dhe Lici, ekziston mundësia që informacionet të jenë ndarë në një dosje tjetër.
Kujtojmë se GJKKO la sot në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Safet e Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, të cilët akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër.
Në një deklaratë për mediat, avokati, Sokol Tahiraj tha se klientët e tij nuk kanë lidhje me këtë çështje.
Avokati u shpreh se Safeti e bëri të qartë se u paraqit vetë dhe tha se është i hapur me hetimin.
I pyetur ne lidhje me analizen e ADN-se, avokati tha: “Kjo është pjesë e hetimit, por Safet Bajri e ka dhënë analizën e AND sa herë është shoqëruar, e kanë analizën e ADN. Nuk e di për çfarë ngjarje kërkohet, atë e di prokuroria”.
KRIMET PËR TË CILAT AKUZOHESHIN BAJRAJT NË 2018
14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip kamion me targë të Vlorës.
14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.
21.03.1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.
28.01.2000 në fshatin Dobraç është vrarë me armë zjarri shtetasi Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër penale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Ndërsa Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milionë lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Për ngjarjen Behar Bajri është deklaruar fajtor më 12 shtator të vitit 2005 për një krim të kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi (Bajri).
15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi A. Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.
26.06.2002 në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri. 18.08.2006 Behar Bajri akuzohet për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.
04.08. 2006 Ilir Bajri akuzohet se ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve.