Është identifikuar autori i vrasjes së 67-vjeçarit Dod Mamli, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme (24 shkurt) me armë zjarri në rrugën e fshatit Vilëz, Zhejë, Kurbin.
Siç njofton policia, autori i dyshuar është shtetasi me iniciale D. T., ndërsa shkak i vrasjes së 67-vjeçarit, thuhet se kanë qenë përplasjet mes tyre për motive pronësie.
Pas ngjarjes, shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë vijuar përgjatë natës kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar, por dhe si pasojë e errësirës nuk u bë e mundur gjetja e tij.
Njoftimi i policisë Kurbin
Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes me armë zjarri, të 67-vjeçarit, në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin.
Menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 18:00 të datës 24.02.2025, se një shtetas ishte vrarë me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.
Për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe me specialistët e Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Në ndihmë të Policisë vendore shkuan katër grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit D. T., i cili dyshohet se për motive pronësie, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin D. M.
Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë vijuar përgjatë natës kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar, por dhe si pasojë e errësirës nuk u bë e mundur gjetja e tij.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë zonën dhe po kryhen veprime të tjera hetimore me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
E SHKUARA E DY DJEMVE TË VIKTIMËS
Dy djemtë e Dod Mamlit janë të akuzuar për masakrën e 2015 në Mamurras. Djali i 67-vjeçarit që u vra sot, ka vrarë një person në vitin 2015 në qendër të Mamurrasit dhe ka plagosur 3 te tjerë.
Bëhet fjalë për Enrik Mamli, i cili ka vrarë Naim Tafën. Ata kanë pasur një konflikt të mbartur nga Italia për 250 mijë euro.
Ngjarja ndodhi në qendër të Mamurrasit, më 23 shtator të vitit 2015, ku mbeti i vrarë Naim Tafa dhe u plagosën rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin, bashkë me shumë persona të tjerë, në zonën e stacionit të trenit.
Konflikti mes autorit dhe viktimës kishte nisur në Itali për një borxh prej 250 mijë eurosh që Enrik Mamli kishte pasur ndaj Tafës për hesape prostitucioni.
NGJARJA E VITIT 2015
Mesditën e 23 shtatorit të vitit 2015, rreth orës 11:30 minuta, Tom Mamli, Paulin Mamli, Enrik (Elton) Mamli kanë rrahur dhe goditur me sende të forta Dorjan Mamlin, pasi ky i fundit kishte ndërhyrë për të negociuar konfliktin që kishte Enrik Mamli me Edmond Tafën, djalin e xhaxhait të Naim Tafës (viktima).
Sipas burimeve, konflikti mes tyre kishte nisur në Itali për një borxh prej 250 mijë eurosh që Enrik Mamli kishte pasur ndaj Tafës për hesape prostitucioni. Gjatë sherrit në lokal, i dëmtuar fizikisht mbeti Dorjan Mamli, i cili ishte qëlluar me grushte e mjete të forta nga kushërinjtë e tij.
Ndërkohë, kur vëllezërit Mamli po largoheshin me mjetin “Range Rover” me targa AA 481 JT, janë përplasur nga mjeti “Benz” me targa AA 077 CN në të cilin lëviznin Gentjan Elezi, Taulant Bebri (Arjan Tafa) dhe Naim Tafa. Këta persona ishin vënë në dijeni të konfliktit të ndodhur në lokal.
Pas përplasjes së automjeteve, personat që ndodheshin në të dyja makinat kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku i vdekur mbeti Naim Tafa, 35 vjeç dhe u plagosën Altin Çoku, 30 vjeç; Idriz Tafa, 59 vjeç; Taulant Bebri (Arjan Tafa), 26 vjeç dhe Besim Xhetani 68 vjeç.
Në atë kohë policia raportoi se Elez Tafa, Besim Xhetani dhe Altin Çoku ishin kalimtarë të rastit dhe nuk kanë pasur asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë. Pas masakrës, policia arrestoi Enrik Mamlin, Taulant Bebrin (Arjan Tafa) dhe Dorjan Mamlin. Ndërsa, në kërkim u shpallën Tom Mamli (personi që u prangos me vone pas ngjarjes), Paulin (Roland) Mamli dhe Gentjan Elezi (Tafa).
Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 12 gëzhoja fishekësh të armëve të zjarrit, 11 prej të cilave brenda në makinën e Enrik Mamlit.
Kjo makinë u gjet nga policia e braktisur, rreth 300 m larg vendit të ngjarjes në përpjekje për t’u larguar. Gjithashtu, policia sekuestroi një armë zjarri automatik model 56 kalibër 7.62 mm, e përdorur prej Enrik Mamli.
Prokuroria e Kurbinit kërkoi 107 vjet burgim në total për 4 personat e akuzuar për Masakrën e Mamurrasit.
Të pandehurit Elton Mamli dhe Tom Mamli, vëllezër me njëri-tjetrin, në dt. 23.09.2015, kanë zhvilluar një konflikt të ashpër të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit.
Nga konflikti i armatosur mbeti i vdekur Naim Tafa, i cili ishte i përfshirë në përleshje. Ndërkohë që u plagosën rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin, bashkë me shumë persona të tjerë, në zonën e stacionit të trenit.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Kurbinit kërkoi dënimet si më poshtë:
Tom Mamli të dënohet me 33 vjet burgim
Elton Mamli të dënohet me 26 vjet burgim
Gazmir Tafa të dënohet me 24 vjet burgim
Taulant Tafa të dënohet me 24 vjet burgim
Gjithashtu, Prokuroria e Kurbinit kërkoi dënimin me 2 vjet burgim për shtetasin Dorian Mamli, i akuzuar për “Moskallëzim krimi”.
