Një studim i ri ka zbuluar se ngrënia e një deri në gjashtë vezë çdo javë redukton ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga çdo shkak, por veçanërisht nga sëmundjet e zemrës – madje edhe te njerëzit që janë diagnostikuar me nivele të larta të kolesterolit.
Studiuesit nga Universiteti Monash në Australi ndoqën mbi 8700 të rritur të moshës 70 vjeç e lart.
Ata që raportuan se konsumonin nga një deri në gjashtë vezë në javë treguan një rrezik 15 për qind më të ulët të vdekjes nga çdo shkak, krahasuar me ata që hanin vezë dy herë në muaj ose më pak.
Ata gjithashtu treguan një rrezik 29 për qind më të ulët të vdekjes së lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, sipas rezultateve të publikuara në revistën Nutrients.
“Vezët janë një ushqim plot me lëndë ushqyese, ato janë një burim i pasur i proteinave dhe një burim i mirë i lëndëve ushqyese thelbësore, si vitaminat B, folati, acidet yndyrore të pangopura, vitaminat e tretshme në yndyrë (E, D, A dhe K), kolina dhe minerale të shumta dhe elementë gjurmë”, tha Holly Wild, pedagoge dhe autore kryesore e studimit.
Kur studiuesit shqyrtuan ndikimin e cilësisë së dietës në lidhjen midis konsumit të vezëve dhe rrezikut të vdekshmërisë kardiovaskulare, ata zbuluan se pjesëmarrësit që hanin një dietë të moderuar dhe me cilësi të lartë dhe që konsumonin vezë çdo javë, demonstruan një rrezik 33% dderi në 44% më të ulët të vdekshmërisë kardiovaskulare, krahasuar me ata që nuk konsumuan kurrë/rrallë vezë.
Udhëzimet evropiane ndryshojnë nga vendi në vend, por një rishikim nga Shoqata Amerikane e Zemrës i publikuar në vitin 2020 arriti në përfundimin se individët e shëndetshëm mund të hanë shtatë vezë në javë në mënyrë të sigurt.
Këto gjetje mund të jenë të dobishme në zhvillimin e udhëzimeve dietike të bazuara në prova./newatlas.com