Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme (3 mars) me gazetarët, ka deklaruar se ata që nuk janë futur në primare, do e kenë shumë të vështirë të jenë në listë.
Ndërsa për ata që nuk e kanë arritur pragun, tha se do të merren parasysh nëse mbeten vende bosh në listën e hapur.
“Njerëzit që nuk janë futur në primare, do e kenë shumë të vështirë të jenë në listë Sigurisht vlerësimi për ata që kanë kontribuar ekziston, nuk mund të mohohet.
Por vendosja apo jo në listën e hapur, edhe në listën e mbyllur, përcaktohet nga disa kritere dhe jashtë ndërhyrjes së këtyre kritereve, nuk do ketë ndikime të tjera.
Ata që nuk kanë arritur pragun, sigurisht preferencën e kanë ata që arritën pragun, kjo nuk ka diskutim. Por pragu nuk është një kusht për të qene ose jo në listë sepse mund të zbresë në varësi nga kriteret që thashë më sipër. Se edhe ky që është mbi prag, mund të zbresë nën prag pastaj. Nuk merret dot.
Sikundër thamë numrin e kandidatëve që duhen në listën e hapur. Absolutisht sa vende mbeten bosh, do merren nën prag. Pra, pragu është një kriter… Përveç primareve, kryesia e PD në princip nuk do ketë propozime të veta. Por kryesisë nuk mund t’ia mohosh të gjithë drejtën.
Unë mendoj se kryesia ka detyrë të mbrojë parimet e statutit. Ai është një forum i lirë që mendime mund të shprehë dhe do diskutohen. Por jashtë kësaj praktike, njerëz që nuk janë futur në primare, shumë e vështirë, por kurrë mos thuaj kurrë”, tha Berisha.
Ndër të tjera, Berisha foli edhe për aleatët, për të cilët tha se kanë kërkuar që të kenë kandidatë në lista të hapura dhe shtoi se e kanë detyrim t’ua mundësojë.
“Mund të kalonin pragun edhe 38 kandidatë, problemi është se në listën e Tiranës, edhe në të hapurën, aleatët do kenë kandidatë.
Dhe jemi të detyruar t’u lëmë në listën e hapur vende edhe partive aleate.
Jo të gjithë pjesën. Pastaj se si veprohet aty, nga lista merret, ulet pragu.
Është përcaktuar një formulë, mënyrë tjetër nuk ka.
Kanë zgjedhur një formulë.
Por vendet për aleatët janë se aleatët kanë kërkuar që të kenë përfaqësues në listat e hapura”, tha Berisha.