Mijëra sulme në zemër dhe goditje në tru mund të parandalohen, duke u ofruar njerëzve mbi 50 vjeç një pilulë ditore, thonë ekspertët. Aktualisht NHS ofron kontroll shëndetësor për këtë grupmoshë çdo pesë vjet – por ky sistem tani mund të zëvendësohet.
Sipas një studimi të publikuar në Revistën Mjekësore Britanike (BMJ) është zbuluar se një ‘polipilulë’ e vetme ul numrin e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru tek të moshuarit. Tableta përmban një statinë dhe një kombinim të tre ilaçeve për uljen e presionit të gjakut.
Studiuesit thanë se pilula mund të zëvendësojë vlerësimin pesëvjeçar të shëndetit të NHS për të rriturit e moshës 40 deri në 74 vjeç për të vlerësuar kolesterolin dhe shëndetin e zemrës së tyre.
Sipas BMJ, baza e provave është gjerësisht “e mjaftueshme si një strategji për parandalimin parësor të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru”.
Profesor Aroon Hingorani, bashkëautor i studimit, tha për The Times : ‘Tani është koha për të bërë shumë më mirë në parandalimin. Një qasje e gjerë e popullsisë mund të parandalojë shumë më tepër sulme në zemër dhe goditje në tru sesa strategjia aktuale.’
Rezultatet nga një provë e kontrolluar e rastësishme zbuluan se kur të rriturit e moshuar morën një polipilulë për pesë vjet, rreziku i tyre për ngjarje të mëdha kardiovaskulare u reduktua me rreth një të tretën.
Autorët sugjeruan një provë në Mbretërinë e Bashkuar ku mund të vlerësoheshin kostot dhe marrja e trajtimit.
Sulmet në zemër dhe goditjet në tru rriten me kalimin e moshës dhe japin një kontribut të madh në rritjen e kostove të kujdesit shëndetësor. Në MB më shumë se 7 milionë njerëz jetojnë me sëmundje kardiovaskulare. Rreth 100,000 njerëz kanë një atak në zemër dhe më shumë se 100,000 njerëz kanë një goditje në tru çdo vit.