Kreu i FSHF-së, Armand Duka, në një rrëfim për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion” ka folur për biznesin dhe fedaratën e futbollit.
Duka ka treguar se dëshira për futbollin ndikoi negativisht tek angazhimet e tij për biznesin.
Duka ka treguar se në administratën e federatës e gjeti vetëm me 12 punonjës.
Administratë e cila sot është totalisht e transformuar, me një staf profesionistësh, ku numërohen më shumë se 180 të punësuar.
Biseda me Fevziun
Blendi Fevziu: Kush është më i vështirë, administrimi i biznesit apo administrimi i federatës?
Armand Duka: Administrimi i federatës.
Blendi Fevziu: Pse?
Armand Duka: Nuk e di, po njerëzit kanë një sjellje ndryshe mbase në një biznes privat, sikur u përkushtohen pak më shumë. Megjithatë administrata e Federatës së Futbollit është goxha e specializuar.
Blendi Fevziu: Po në administratë të federatës sa njerëz ke tani të punësuar?
Armand Duka: Sot janë rreth 180 veta.
Blendi Fevziu: Me sa e ke marrë?
Armand Duka: Me 12. Është e vështirë që të kesh pretendime të mëdha pa njerëz, pa administratë të mirë. Dhe aktivitetet që ne bëjmë sot në Federatën e Futbollit janë shumë herë më shumë sesa ato të asaj kohe sepse maksimumi ishte një kampionat minimalist.
