Kryeministri Rama duket se sot ka reflektuar ndaj SPAK-ut dhe kreut Altin Dumani, megjithëse ka pasur shumë oshilacione, dikur në sulm frontal njësoj si Berisha, pak javë më vonë duket me gjuhë më të zbutur, megjithëse inatin e ka me prokurorin Ols Dado.
Kjo e dyta është më e sigurt, por gjithsesi përtej faktit që gjykata ka dhënë vendimin për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, sot jemi përballë disa fakteve të tjera.
Në PS, 99-çat nuk mundën të ngjisnin, megjithëse Rama tentoi ta revolucionarizonte partinë dhe ajo parti ngeli klasike, megjithëse në parti kanë hyrë dhe nga ata që veten e quajnë rilindës, jo 99-ça, pra kasat e atyre që rrëzoi Fatos Nanon. Megjithëse socialistët gjithë jetën e tyre kanë qenë me sy hapur, më mendjendritur për të bërë marrëveshje më të mëdha dhe për të pranuar edhe ndoshta një “fashist” si Rama për ta bërë kryetar të tyre.
Por që të kemi reflektim të vërtetë përtej përplasjeve dhe lojërave, Rama duhet të tregojë veten se sa vizionar është si kryetar partie.
Pra, që është distancuar njëherë e mirë nga hajdutërit e tij që nuk fillojnë thjesht me dosjen “5D” me inceneratorët, me koncesionet apo deri tek Erion Veliaj.
Reflektimi duhet të fillojë me njerëzit me të cilët PS kishte vlera, që jo thjesht dhe vetëm perceptohen si të ndershëm, por që i kanë qëndruar përballë Ramës me terma si gjakderdhje financiare.
Këtu po përmendim Ditmir Bushatin, ndoshta i bëjmë dhe dëm pasi hyjmë tek ato media që kryeministri na shikon me syrin shtrembër dhe për këtë jemi shumë të lumtur se ka kujt i buzëqesh.
U buzëqesh atyre që furnizohen me paratë e korrupsionit, që janë ushtarët e oborrit të tij.
Por mund t’ia themi kryeministrit tonë se PS ka vlera.
Ka personalitete, ka intelektualë, ka diplomatë, mbi të gjitha ka qytetari dhe njerëz të ndershëm.
PS nuk mund të ngelet me ikona dhe peng i “5D”-së, zdromsit, inceneratorit që nuk ekziston, i koncesioneve, hajdutërive.
A ka një Ditmir Bushati PS-ja?
Jo. Ka me qindra, ndoshta me mijëra të tillë, të cilët nuk janë më në elitën e PS-së, nuk janë në strukturat e saj. Janë goditur, janë anatemuar, janë larguar nga egoizmi politik, nga inati i momentit.
Vendet e tyre u zunë nga hajdutërit, nga ata që nuk kishin një fjalë për të thënë përtej përballjes politike, intrigave të brendshme. Në PS mund të ketë me qindra Ditmirë, të cilët nuk janë atje ku duhet.
Nuk bëhet fjalë për të marrë dhe për të vënë një deputet të thjeshtë, sepse raca e tyre janë më të zotë se deputetët e hajdutët e institucioneve që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të vjedhin.
Kurse këta që lihen jashtë janë më të zotë, dinë tja dalin dhe vetë, në politikë në karierë të fitojnë mjaftueshëm shpirtërisht për të jetuar shumë mirë.
Ndaj dhe janë ndryshe nga ata që sillen si shushunja pushteti. Rama ka kohën për të reflektuar, ka kohën për të treguar se vërtetë është ndarë nga një e shkuar me bashkëpunëtorë hajdutë dhe po rikthen në PS standardin e Ditmir Bushatit dhe të tjerëve si ai.