Platforma e rrjeteve sociale TikTok do të mbyllet më datë 13 Mars në vendin tonë.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka kërkuar nga kompanitë e internetit marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacion.

“Secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025”, thuhet në kërkesën e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike drejtuar kompanive të Internetit.

Kërkesa e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike

“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.

Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK. Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.

Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.”

Kujtojmë se pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave që u zhvillua javën e kaluar, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, njoftoi  më 7 mars miratimin e vendimit për mbylljen për një vit të platformës TikTok.

Me këtë vendim, Qeveria vendosi ndërprerjen e aksesit në TikTok në territorin e Shqipërisë për një periudhë 12-mujore, deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.

Autoritetet kompetente, në bashkëpunim me ofruesit e internetit dhe platformat teknologjike, do të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi dhe vlerësimin e efektivitetit të tij në vazhdimësi.

“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Një mbyllje e përkohshme do të thotë që i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë për të bërë të mundur që, në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës së TikTok, të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë.
Do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e cila, me entet përkatëse, do të punojë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, që mund të jetë disa ditë ose një javë e pak, do të mundet që të realizojë këtë ndërprerje të aksesit në platformën TikTok.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Rekomandimi për mbylljen e përkohëshme të kësaj platforme, është bërë nga një grup ndërinstitucional dhe u miratua sot me vendim qeverie.

VENDIM I KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËR  MARRJEN E MASAVE TË PËRKOHSHME PËR SHMANGIEN E NDIKIMEVE NEGATIVE TË PLATFORMËS ON-LINE “TIKTOK”

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të  pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, “Për  të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave…për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 ZËVENDËSKRYEMINISTËR Belinda Balluku”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko