Sistemi arsimor shqiptar është duke shkuar me hapa të shpejtë drejt greminës, pasi matjet dhe indekset ndërkombëtare vit pas viti po tregojnë rënie të rezultateve në aftësitë e të rinjve.
Siç shihet në tabelën e mëposhtme, aftësitë e të rinjve në arsimin profesional në Shqipëri pësuan rënie 20% në vitin 2024 në krahasim me 2023, sipas Fondit Europian për Trajnimet (EFT) në publikimin e fundit “Trajnimet, arsimi, aftësitë dhe punësimi: Tendencat dhe zhvillimet 2024”.
ETF mat indikatorët e Performancës së arsimit profesional për të dytën herë më 2024 në vendet që nuk janë anëtarë në BE.
Rezultatet treguan se në vitin 2024, Arsimi dhe Formimi Profesional (VET) në shumicën e vendeve vazhdon të performojë dobët në lidhje me cilësinë e aftësive dhe kompetencave që u ofrohen të rinjve, krahasuar me ato të të rriturve, por në Shqipëri rënia e rezultateve ishte më e madhe, duke ndjekur trendin që u vërejt në testin ndërkombëtare të PISA.
Punëdhënësit në vende si Shqipëria shpesh kompensojnë me mënyra të tjera boshllëqet e lëna nga arsimi duke përfshirë edhe arsimin profesional. Ekzistenca e boshllëqeve të njohurive tregon për probleme të vazhdueshme të cilësisë së arsimit profesional.
