Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar reformën ne drejtësi, si eksperimentin më të shëmtuar të ekstremit të majtë në Europë.
Berisha gjatë tryezës “Reforma në Drejtësi, sfidat, pasojat dhe rruga e drejtë”, e organizuar nga Partia Demokratike, tha se rezultatet e reformës në Drejtësi është mohimi i të drejtës së shqiptarëve.
“Do ta nis këtë fjalë me një falënderim dhe mirënjohje për drejtuesin e fondacionit ‘Adenauer’ në Shqipëri, zotin Tomas Kunc, mbështetjen e tij të çmuar në shumë fusha, por edhe angazhimin e këtij fondacioni për të ndihmuar shqiptarët në një nga problemet më të rëndësishme dhe më të komplikuara me të cilat përballen sot.
Dua të falënderoj zonjën Nagler për misionin që ka marrë nëpërmjet fondacionit Adenauer, për një shqyrtim të asaj që u quajt reformë në drejtësi, por që de facto është eksperimenti më i shëmtuar i ekstremit të majtë në Europë dhe me disa ngjashmëri me disa elementë në SHBA dhe pastaj në vende ku demokracia nuk ekziston.
Unë dua të falënderoj Editin dhe Dianën, të cilat me guxim morën përsipër të trajtojnë me fondacionin Adenauer këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, e cila mbart në vete disa të vërteta realisht të pabesueshme për një vend anëtar i NATO-s, që aspiron të integrohet në BE.
