Policia e Fierit ka ndalur pesë persona dhe ka shpallur në kërkim një 19-vjeçar, pasi dyshohet se i vunë zjarrin një lokali bregdetar në Darzezë të Fierit, ditën e diel.
Kujtojmë se zjarri në lokal u pikas fillimisht nga banorë të zonës të cilët lajmëruan menjëherë shërbimet zjarrfikëse të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve, por duke qënë se lokali ishte i ndërtuar me dru, u dogj totalisht brenda disa minutash pavarësisht edhe ndërhyrjes me mjete rrethanore nga banor rreth e zonës.
Lokali në pronësi të shtetasit A. B, funksiononte prej 5 vitesh gjatë muajve të verës, ndërkohë që dëmi i përllogaritur arrin në 30 milionë lekë të vjetra, ndërsa janë djegur të gjitha pajisjet që ndodheshin brenda ambienteve, 120 shezlongë dhe 60 çadra.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë aksidental, pasi sipas banorëve pranë lokalit ka patur vizitorë, të cilët kanë konsumuar birra dhe cigare.
Në lokalin e mbyllur që nga përfundimi i sezonit , energjia elektrike ishte e ndërprerë.
NJOFTIMI
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 30.03.2025, mbi djegien e një lokali në plazhin e Darëzezës, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale në lidhje me rastin, u ndaluan shtetasit A. T., 23 vjeç, E. M., 20 vjeç, A. S., 20 vjeç, E. L., 19 vjeç dhe D. L., 19 vjeç, të pestë banues në Fier, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. R., 19 vjeç, pasi dyshohen si autorë të këtij rasti. Vijon puna për kapjen e shtetasit A. R., si dhe në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime për të individualizuar përgjegjësinë penale të secilit prej këtyre shtetasve, si dhe për të dokumentuar shkakun e zjarrit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.