Fundi i marsit solli një ngjarje magjepsëse astronomike: një eklips të pjesshëm diellor të dukshëm në disa pjesë të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Për ata që kishin fatin të shijonin një qiell të pastër, spektakli ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Midis këtyre vëzhguesve të privilegjuar ishte edhe astrofotografi Josh Dury, i cili përjetësoi këtë fenomen qiellor në sfondin e një prej monumenteve më ikonë dhe misterioz në botë: Stonehenge.

E vendosur në Wiltshire, Angli, ky vend 5000-vjeçar është i famshëm për shtrirjen e tij me diellin gjatë solsticit të verës, duke dëshmuar për lidhjen e lashtë midis njeriut dhe yjeve. “Kapja e eklipsit të pjesshëm diellor nga ky vend ikonik ishte emocionues për shumë arsye”, tha Dury për Space.com. “Jo vetëm për të dëshmuar mekanikën qiellore të sistemit tonë diellor, por edhe për të ndarë këtë përvojë me publikun, duke i bërë ata pjesë të një ngjarje kaq të veçantë”.

Imazhet e krijuara nga Dury tregojnë sekuencën e tranzitit hënor përpara diskut diellor, një balet kozmik me bukuri të rrallë. Por kjo nuk është e gjitha: një imazh i përbërë, i marrë duke bashkuar tre shkrepje të veçanta, ofron një detaj nga afër të eklipsit, madje duke zbuluar sipërfaqen e parregullt të Hënës teksa vjen mes nesh dhe yllit tonë.

Kjo nuk ishte e vetmja mrekulli qiellore që Dury kapi javët e fundit. Në fakt, në fillim të marsit, ai kishte përjetësuar tashmë eklipsin total të Hënës mbi Kështjellën Stalker në Skoci. “Është e pabesueshme të jesh në gjendje të vëzhgosh dy eklipse kaq afër njëri-tjetrit në kohë, secili me veçoritë e veta”, komentoi astrofotografi.

Për ata që u magjepsën nga kjo ngjarje, pritja për eklipsin e radhës nuk do të zgjasë. Një tjetër eklips i pjesshëm diellor pritet më 21 shtator 2025, megjithëse dukshmëria e tij do të përqendrohet kryesisht në rajonet më të largëta të Hemisferës Jugore.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re