Gjykata e Posaçme ka pranuar ankimin e ish kryetarit të bashkisë së Himarës, eurodeputetit Fredi Beleri, për Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi. GJKKO ka urdhëruar SPAK që të regjistrojë kallëzimin penal dhe të nisë hetimet ndaj tyre, për akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim.
Beleri në kallëzimin e tij ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që kishte vendosur të mos fillojë procedimin penal ndaj Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçit.
Beleri kërkoi që të rishikohet vendimi i datës 27 dhjetor 2024 dhe të hapen hetime përkatëse për këto individë. SPAK dërgoi për gjykim të shkurtuar vetëm ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
“Gjykata çmon se kallëzimi i shtetasit Alfred Beleri për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ kryer në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisis Alfred Beleri, për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj.
Në rastin konkret, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr. 81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli, dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin politik të deputetes.
Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë. Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.” thuhet ndër të tjera në vendim.