Policia ka arrestuar një 19-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri në makinë. Në pranga ka rënë i riu Panajot Kola, ndërsa u arrestuar edhe drejtuesi i automjetit, për moskallëzim krimi.

 

Raportohet se gjatë operacionit “Nightfall”, në aksin rrugor “Orikum-Vlorë” në Radhimë, policia ka ndaluar për kontroll një automjet tip “Mercedes Benz” me të cilin udhëtonin dy të rinjtë.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, 19-vjeçari i cili ishte pasagjer ka hedhur nga automjeti një çantë dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur menjëherë nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit në çantën marsup, u gjet një armë zjarri pistoletë me silenciator, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Nightfall”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonte me armë zjarri pistoletë me silenciator, në automjet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 19-vjeçari.

Vihet në pranga dhe drejtuesi i automjetit, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohet arma e zjarrit.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Nightfall”.

Gjatë këtij operacioni, në mbrëmje, në aksin rrugor “Orikum-Vlorë”, në Radhimë, është ndaluar për kontroll një automjet tip “Mercedes Benz” me të cilin qarkullonin 2 shtetas. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, pasagjeri ka hedhur nga automjeti një çantë dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur menjëherë nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit në çantën marsup, u gjet një armë zjarri pistoletë me silenciator, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:

P. K., 19 vjeç, banues në Orikum, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

B. K., 34 vjeç, banues në Orikum, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për rastin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko