Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq Darment Kelin, i cili vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin, pasi ky i fundit i ngacmoi të dashurën.
Nga hetimet, rezultoi se më datë 24.08.2024 ndërroi jetë nga plagosja me thikë Amarildo Hoxhallari, ndërsa u arrestua autori Darment Keli dhe Ardi Marishta, i cili ishte mik i viktimës dhe tentoi bashkë me të të largohej nga vendngjarja, por gjendja shëndetësore e Hoxhallarit ka qenë e rëndë dhe ka rënë nga motori.
E gjithë ngjarja nisi kur viktima dhe miku i tij, Ardi Marishta, dyshohet se ngacmuan me fjalë një vajzë, veprim ky që u pa nga ballkoni nga Darment Keli i cili më pas u konfliktua me dy personat.
Në konflikt e sipër, ai qëlloi disa herë me mjet prerës thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, Amarildo Hoxhallarin, duke i shkaktuar më pas atij vdekjen.
Darment Keli deklaroi se personat në fjalë ngacmuan të fejuarën e tij e cila ishte nisur të takonte një të afërmen e saj dhe pasi e pa tërë skenën nga ballkoni, ai zbriti duke marrë me vete edhe një thikë, teksa pranoi se në konflikt e sipër e goditi disa herë në krah dhe në pjesën e barkut.
Bazuar sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi dërgimin në gjyq të Darment Kelit, për veprën penale “Vrasje me dashje”.
