Në fjalimin e tij gjatë prezantimit të kandidatëve të PD-ASHM në Lushnjë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi akuza ndaj ministres Belinda Balluku.
Ai tha se Balluku ka hapur një tender 10 mijë euro për larjen e makinës së saj dhe se ajo i ndan paratë me pronarin e lavazhit.
Sali Berisha: Miq, këto ditë që kanë ngelur, u ftoj të ulemi me çdo fermer, me çdo qytetar, me çdo biznesmen, të bashkohemi në këtë betejë duke i garantuar se nuk do ketë të humbur përveç atyre që kanë kryer krime duke vjedhur paratë tuaja. Të tjerët do dalin të fituar, pavarësisht nga bindjet e tyre politike.
Do u thonë, ku do i gjeni paratë që i premtoni në këtë mënyrë?
Po, fare thjesht. Këto para janë të gjitha në buxhet, por nuk do ndërtohen më djegësa, nuk do vidhen më 130 milionë euro për djegësin e Tiranës për djegësin që nuk ekziston.
130 milionë euro janë 812 mijë pensione.
Nuk do mund të mendojë kurrë një ministër që të shpenzojë 10 mijë euro për të larë sediljen e makinës së vet.
Nuk kisha dëgjuar kurrë në jetën time, as kush lexuar. Pyeta një milioner, më tha shoferi po të ketë nevojë, kur bëhet me baltë, e çon në lavazh.
Kurse Lubia që vjen këtu për të kërkuar votat ka bërë tenderin 10 mijë për të pastruar makinën e saj çdo ditë.
Këta janë edhe hajdutë xhepash, i ndan paratë me pronarin e lavazhit.
Një gjë do u them, në një nga masat e qeverisë së mëparshme, zëvendësministrave ua hoqa veturat. Sa u fitua? 40 milionë euro.
Po sigurisht se qeveria nuk ka para të veta, janë të gjitha tuajat.
Po a mund të vendosen 8 miliardë euro, duhet të jesh i çmednur, të mos kesh zemër, të mos kesh shpirt, që vë këtu 8 miliardë dhe thua pensionistëve do u jap 16 milionë. Po si mund ta bësh këtë?
16 milionë për 700 mijë shquptarë, të cilët marrin sot sa merr një qen shtëpie nga qeveria në Gjermani.m Në vitin 2013, nuk merrnin shumë, por merrnin më shumë se malazezi, maqedonasi, serbi apo shqiptari në Kosovë dhe Maqedoni.
Sot pensionisti malazez merr 450 euro, në vitin 2013 merrte 138 euro. Po si arritën? Arritën sepse kishte kryeministër të përgjegjshëm që e kuptonte se në buxhet, një pjesë të mirë të parave duhet t’ua kthejë qytetarëve.
Kurse këtu lukse për qeveritarët. 21 milionë me avion ky se nuk mund të udhëtojë me linja tregtare. Shishe vere 33 mijë euro se nuk u garantoj se nuk ka kryeministër në botë që hap shishen e verës, nuk them për mbretër apo princër, por kryeministri i një vendi nuk ia lejon vetes kurrë.
Sigurisht, këtyre nuk u dalin paratë. Por ama një gjë, u kanë marrë taksa në këto 12 vite 67 miliardë euro. Nga këto 67 miliardë euro, kanë paguar gjithsej 16 miliardë rroga. Të tjerat ku shkuan? Çfarë u bënë? 90 përqind e tyre u vodhën dhe u shpërdoruan. Merr fund kjo.
U garantoj se rrugë do ndërtohen shumë më tepër, vepra publike do ndërtohen shumë më tepër, shqiptarët do punësohen gjithnjë e më shumë, rrogat do rriten çdo vit gjersa të dalim në krye.
Por nuk do ndërtojmë kurrë rrugë, nuk do ndërtojmë kurrë shkolla me çmime 8-10 herë më të larta se në BE.
Këta janë të papërmbajtur. Këta nuk dinë të ndalen kurrë.
Ndaj t’i ndalim me 11 maj. T’i ndalim të shpëtojmë Shqipërinë.
T’i ndalim se po shkretohemi çdo ditë e më shumë.
Të krijojmë mundësinë për këtë program, programin më të mirë që kanë pasur shqiptarët. Edhe dy fjalë do u them për Sali Berishën.
Miqtë e mi, unë vij këtu para jush dhe u siguroj se në këtë udhëtim timin, në këtë rikthim timin kam pasur zero ambicie personale, kam pasur dhe kam zero ambicie për luks dhe para. Jo. Në këtë moshë, në këtë vjeshtën time, interesat e mia janë krejt tjera.
Por u ktheva sepse e pashë që kërkonin një Shqipëri pa opozitë.
Po Shqipëria pa opozitë ishte pastaj si ai lisi që vetëm thahet dhe pret shtrëngatën e parë për t’u rrëzuar. E pashë e kërkon një opozitë të kontrolluar nga Edi Rama, siç e shihni ju tani që e bën si lolo atë Bravën, e merr pas vetes.
E pashë që kërkonin të bënin të tjerët listat e deputetëve tuaj.
Këtu pastaj ishte tjetër kjo. Dhe kjo ishte arsyeja pse unë ndërmora këtë udhëtim. Asnjë shkak tjetër. Natyrisht nuk ka motiv më të madh sot se të luftosh për një Shqipëri Madhështore. Nuk ka motiv më të madh sot se të bësh gjithçka t’u kthesh shqiptarëve paratë e tyre në rroga, pensione dhe shërbime.
Nuk ka motiv më të madh sot se t’u tregosh zero tolerancë me ligjin kriminelëve, të cilët terrorizojnë qytetarët, vjedhin dhe plaçkisin ata.
Se t’u tregosh vendin qeveritarëve më kriminelë se kriminelët ordinerë, që bashkëpunojnë me bandat dhe plaçkisin qytetarët.
Nuk ka mision më të madh se ta kthejmë Lushnjen, ta kthejmë Shqipërinë në vendin e ëndrrave të lushnjarëve, në vendin e ëndrrave të shqiptarëve.
Të rikthejmë djemtë dhe vajzat tona, të vijnë këtu me një sistem fiskal 5 vite pa taksa. Të bëjmë çdo gjë për suksesin e fermave të tyre, për suksesin e bizneseve të tyre. Ëndrra shqiptare është ëndrra më fisnike për çdo qytetar, për çdo shqiptar, për kombin në tërësi. Rroftë Lushnja, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!