
Në sallën e konferencave të Bashkisë u zhvillua sot ceremonia zyrtare për dhënien e titullit “QYTETAR NDERI”, Z. Mandi Xhamo.
Për kontributin e tij në fushën e sportit, rolin drejtues në organizmat sportive, përgatitjen e brezave të rinj dhe të ekipeve zinxhirë të futbollit, arritjet në procesin mësimor – edukativ, përhapjen e dijes dhe kulturës sportive, si qytetar i denjë dhe i respektuar i qytetit të Beratit, Këshilli Bashkiak i jep z. Mandi Xhamo titullin “QYTETAR NDERI” i Beratit.

Merrnin pjesë në këtë ceremoni përfaqësues të institucioneve vendore, të forcave politike, të komuniteteve fetare, intelektualë, trajnerë, sportistë, të afërm të familjes Xhamo, qytetarë etj.
Shprehim nderim dhe respekt për figurën e sportistit, trajnerit, mësuesit, z. Mandi Xhamo, e cila nuk është vetëm nderi dhe krenaria e qytetit, por një shembull frymëzimi për të gjithë brezat që do të vijnë. Figura të tilla, që kanë lënë gjurmë në sportin më të dashur, futbollin, do të mbeten në memorien e qytetit si një histori e gjallë e kulturës dhe e sportit.

Profesor Mandi Xhamo jo se ka nevojë për vlerësimin tonë, por jemi ne ata që kemi më shumë nevojë të inspirohemi prej tij, nga eksperienca, pasioni, dëshira, këmbëngulja e tij për të mbajtur gjallë jetën sportive të një qyteti, por edhe për ta trashëguar atë te gjeneratat që do të vijnë.
Profesor Mandi Xhamo, përmes emocioneve tregoi disa nga çastet më të bukura të karrierës së tij sportive, ndërsa shprehu mirënjohjen e tij për vlerësimin që i bëhet nga Bashkia e Beratit.
Shprehu gjithashtu konsideratat e tij në këtë ceremoni edhe drejtori i DAR Berat, Selman Hodaj, i cili e vlerësoi figurën e z. Mandi Xhamo si një njeri fisnik, që kontribuoi aq shumë për sportin në Berat, duke u bërë një model frymëzimi për të rinjtë.
Po ashtu edhe djali i tij, Vangjel Xhamo, i cili falenderoi Bashkinë jo vetëm për zhvillimin e ceremonisë së sotme, por edhe për mbështetjen që i kanë dhënë në organizimin e Kupës “Mandi Xhamo”.
Në fund të ceremonisë, për të pranishmit u shtrua një koktej.
