Skip to content

“Engjëlli i vdekjes”Mjeku akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve (DETAJET TRONDITËSE)

Një mjek gjerman i kujdesit paliativ është akuzuar nga autoritetet në Berlin për vrasjen e 15 pacientëve, përmes një koktej drogrash vdekjeprurëse që u administronte pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.

Sipas mediave të huaja, mjeku 40-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të ligjeve të rrepta të privatësisë në Gjermani, dyshohet se ka vrarë 12 gra dhe 3 burra, në periudhën midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024. Prokurorët theksojnë se ky numër mund të rritet, pasi hetimet janë ende në vazhdim.

Autoritetet gjermane bëjnë me dije se ai u ka dhënë pacientëve të tij një anestezik dhe një relaksues muskulor, i cili ka shkaktuar paralizë të muskujve të frymëmarrjes, çka ka sjellë vdekjen për pak minuta.

Gjithashtu, mjeku dyshohet se i ka vënë zjarrin banesave të viktimave, në pesë raste të ndryshme, për të zhdukur gjurmët e krimeve. Në një rast në korrik 2024, ai akuzohet për vrasjen e dy personave në një ditë: një burri 75-vjeçar në qendër të Berlinit dhe disa orë më vonë, një gruaje 76-vjeçare në një lagje tjetër. Ai madje tentoi t’i vinte zjarrin shtëpisë së saj, por pa sukses. Më pas, thuhet se njoftoi një të afërm të saj, duke pretenduar se kishte shkuar ta vizitonte, por askush nuk kishte hapur derën.

Fillimisht, ai dyshohej për katër vrasje, kur u arrestua në gusht 2024, por hetimet pas arrestimit kanë zbuluar viktima të tjera të dyshimta. Autoritetet kanë nisur edhe procesin e zhvarrosjes së trupave të pacientëve, për të analizuar shkaqet e vdekjes.

Prokuroria kërkon dënim të përjetshëm me burg si dhe ndalim profesional të përhershëm për mjekun, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim dhe mohon akuzat.