Komisioni Evropian ka propozuar listën e parë të vendeve të sigurta të origjinës, qytetarët e të cilëve do ta kenë më të vështirë të ushtrojnë të drejtën e azilit dhe kthimi i të cilwve do të jetë më i lehtë dhe më i thjeshtë.

Lista e vendeve të sigurta të origjinës përfshin Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë.

Me këtë propozim, Komisioni dëshiron të përshpejtojë procesin e vendimmarrjes për azilin, sepse kërkesat nga kwto vende kanë pak shanse për sukses. Qytetarët e këtyre vendeve do ta kenë më të vështirë marrjen e azilit në BE dhe kthimi i tyre do të përshpejtohet.

Disa shtete anëtare tashmë kanë lista kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës, por deri më tani nuk ka pasur një listë të harmonizuar evropiane. Sipas Komisionit, kjo inkurajon azilkërkuesit që të zgjedhin një shtet anëtar me rregulla më fleksibël në të cilin të kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare. Ky propozim duhet të ndihmojë në ndalimin e kësaj.

Vendet kandidate të sigurta

Komisioni konsideron gjithashtu se vendet kandidate për në BE në përgjithësi plotësojnë kriteret për t’u përcaktuar si vende të sigurta të origjinës, sepse, si pjesë e rrugës së tyre drejt anëtarësimit në BE, ato po punojnë për të arritur stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave.

Një vend kandidat do të përjashtohej nga lista e sigurt vetëm në disa rrethana të veçanta: dhunë e përgjithshme në konflikte, sanksione të vendosura nga Këshilli kundër atij vendi ose kur shkalla e miratimit të kërkesës për azil nga ai vend është më e lartë se 20 për qind.

Propozimi i Komisionit bazohet në një analizë të Agjencisë së BE-së për Azilin dhe burime të tjera, duke përfshirë informacionin nga Shtetet Anëtare, UNHCR dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Lista e vendeve të origjinës të sigurta të BE-së mund të zgjerohet ose rishikohet me kalimin e kohës. Vendet gjithashtu mund të pezullohen ose hiqen nga lista nëse nuk plotësojnë më kriteret për përcaktimin si vende të sigurta të origjinës.

Për të hyrë në fuqi, ky propozim duhet të marrë miratimin e shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian dhe pasi të miratohet, do të zbatohet për të gjitha shtetet anëtare.

Përshpejtimi i Paktit të Migracionit

Komisioni propozoi gjithashtu përshpejtimin e zbatimit të disa aspekteve të Paktit për Migracionin dhe Azilin, i cili u miratua vitin e kaluar dhe do të hyjë në fuqi në qershor 2026.

Komisioni propozon rritjen e financimit në fillim të periudhës për dy elementë kyç të Rregullores së Procedurave të Azilit për të ndihmuar shtetet anëtare të përpunojnë kërkesat për azil më shpejt dhe me efikasitet për aplikantët, kërkesat e të cilëve ka të ngjarë të jenë të pabaza.

Ai propozon që dy rregulla të rëndësishme të Paktit të zbatohen edhe përpara hyrjes në fuqi në qershor të vitit të ardhshëm.

Dispozita e parë është që shtetet anëtare mund të zbatojnë procedurën e kufirit ose procedurën e përshpejtuar për njerëzit që vijnë nga vende ku mesatarisht 20 për qind ose më pak të aplikantëve u është dhënë mbrojtje ndërkombëtare në BE.

E dyta lidhet me vendet e treta të sigurta dhe vendet e sigurta të origjinës. Shteteve anëtare u jepet fleksibilitet më i madh në përcaktimin e përjashtimeve nga lista e vendeve të treta të sigurta dhe vendeve të sigurta të origjinës. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko