NIKOLETA KOVAÇI/ Kur kanë kaluar 5 vjet nga rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja e trupit të Jan Prengës, prokuroria dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë ende asnjë të dhënë për vendin në të cilin e kanë groposur të ndjerin.

Altin Hajri (Majtas, lart); Jan Prenga (Djathas, lart); Alfred Dedja (Djathas, poshtë)

Ndonëse në pranga janë vënë disa persona dhe disa të tjera janë në kërkim, për atë ngjarje të rëndë, edhe pse ngjarja është marrë në duar nga Prokuroria e Posaçme, ende asnjë e dhënë nuk është përftuar për të shkuar në vendin ku është zhdukur kufoma e 49-vjeçarit, të rrëmbyer mesditën e 17 janarit të 5 vjetëve më parë në mes të Kamzës. Por dje, në procesin gjyqësor, një proces që është rikthyer me ekstradimin e Dritan Rexhepit, personit që i faturohet organizimi i pengmarrjes së Prengës, ka dëshmuar sërish Festim Bëxhdili.

Ai njihet rëndom si ‘kopshtari’, në fakt, ka qenë një punonjës i kompleksit ku u soll i pajetë trupi i Jan Prengës, i cili nga Kamza në Shijak duket se humbi jetën nga dhuna e ushtruar nga 4 rrëmbyesit. Bëxhdili, i cili ka qenë duke pastruar pishinën në momentin e ardhjes së rrëmbyesve dhe vrasësve të Prengës në kompleksin ‘Golden’ në Shijak, i ka thënë Gjykatës së Posaçme se ishin 4 persona të armatosur. Ai ka dëshmuar se është trembur prej pranisë së tyre, të cilët ishin të armatosur dhe se i kanë thënë se ka vdekur njëri.

Më pas në dëshminë e tij ai ka thënë se vrasësit i kanë kërkuar ujë, para se sa në kompleksin e tij të mbërrinte i zoti i kompleksit Altin Hajri. Në dëshminë e tij nuk është dhënë asnjë detaj shtesë nga ato që ka thënë më herët ndërsa ndaj tij është zhvilluar një proces gjyqësor, ndërkohë që Bëxhdili ka qenë dëshmitar i momentit kur është sjellë trupi në kompleks dhe më pas kur e kanë marrë me një mjet tjetër dhe e kanë zhdukur. Bëxhdili asnjëherë nuk pranoi se kishte dijeni për vendin ku e kishin zhdukur trupin personat që kishin ardhur në kompleks.

Dëshmia e

Altin Hajri (Majtas, lart); Jan Prenga (Djathas, lart); Alfred Dedja (Djathas, poshtë)

Në procesin gjyqësor ndaj Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit dhe të pandehurve të tjerë ka dëshmuar Festim Bëxhdili, kopshtar i resortit. Ai ka deklaruar ndër të tjera se e kishte parë personin e vdekur, ndërsa shprehet se ishte tejet e frikësuar. Kopshtari tregon se kanë qenë 4 persona të armatosur, jo të maskuar, por thekson se nuk i mbante mend. “Isha duke pastruar pishinën, kur erdhi një Range Rover i bardhë dhe u fut tek garazhi. Shkova t’i pyesja. Ishin 4 veta të armatosur. Nuk i njihja. Më kërkuan ujë dhe ju dërgova. Isha i frikësuar. Më thanë “ka vdekur njëri”.

Më thanë ta kalojmë nga makina në makinë. Isha shumë i trembur, nga armët e tyre edhe se pashë një të vdekur. E kaluam nga Range në një Fiat Doblo, që e përdornim për furnizimet në kompleks. E zhvendosëm trupin. Fytyrat i kishin zbuluar, por nuk i kujtoj. Njëri kishte tatuazhe. Pastaj më kërkuan edhe një kazmë e një lopatë. Nga gjuha mu dukën si nga veriu. Aty erdhi pastaj Altin Hajri. Ai i shau dhe iu tha “ç’doni këtu, po na merrni në qafë”. Ju kërkoi të iknin shpejt. Nuk e di çfarë bëri Altini pastaj. Nuk e di për çfarë i deshën kazmën e lopatën. Jua dhashë dhe ata i futën në makinë. Pasi ata ikën unë shkova në shtëpi në Kavajë”, ka deklaruar Bëxhdili.

Në këtë proces nën akuzë janë Aldo Majnishta, Artan Doçaj, Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Geraldo Martini, Korado Keshtenja (Geshtenja) dhe Martin Bleta. Por i pranishëm është vetëm Dritan Rexhepi, sepse të tjerët janë në kërkim. Për të njëjtin fashikull vazhdon në kërkim edhe Altin Hajri. Bëxhdili ka folur në gjykatë si i bashkëpandehur në procedim të lidhur ndërsa ende nuk dihet asgjë mbi fatin e trupit të Prengës. Ai u rrëmbye për shkak të një borxhi droge që ishte vjedhur në Angli nga vëllai i tij, por që Prenga nuk kishte asnjë lidhje as me vëllanë dhe as me trafikun e drogës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko