Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar njofton se, pas informacioneve të marra mbi një rast të dyshuar ngacmimi ndaj nxënëseve në shkollën e bashkuar “Sali Halili” në Rrajcë, është ndërmarrë menjëherë masa disiplinore e shkarkimit nga detyra për mësuesin Fatmir Hoxha.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me punonjësen e shërbimit psiko-social dhe oficerin e sigurisë, zhvilloi verifikimet përkatëse.
Rasti është referuar zyrtarisht pranë Policisë së Shtetit dhe është në ndjekje për hetime të mëtejshme nga organet kompetente.
AKAP është e angazhuar maksimalisht me institucionet arsimore për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e çdo fëmije dhe fuqizimin e mekanizmave parandalues në bashkëpunim me shërbimet psiko-sociale, oficerin e sigurisë dhe stafet arsimore.