Kandidati për deputet i PD në qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ka dënuar gjuhën, sipas tij, ‘të papranueshme’ që kryeministri Edi Rama përdori një ditë më parë me vajzat që votojnë për herë të parë.

Me anë të një reagimi në facebook, Këlliçi u shpreh se deklaratat e Ramës janë një shpërfillje ndaj grave dhe vajzave.

“Për votat e PS-së, ai pretendon të shndërrojë në “dashnore” votueset për herë të parë”, shkruan Këlliçi.

Ai thotë se është koha që ky politikan të marrë një mësim të vlefshëm, ndërsa thekson se “Vajzat dhe gratë shqiptare nuk janë dashnoret e politikës”.

LEXO EDHE: “Rroftë dashnorja se të ishte për mua s’do futesha kurrë në BE”- Rama batuta me vajzat: Fuqinë tuaj tërheqëse përdoreni për djemtë e lëkundur! Çdo lidhje të vihet në funksion të votës

Reagimi i Këlliçit

Rroftë dashnorja

Gjuha seksiste dhe fyese e Edi Ramës është e papranueshme!!!

Në një shpërfaqje të paprecedentë të injorancës së tij dhe shpërfilljes ndaj grave dhe vajzave, ai pretendon që të instrumentalizojë madje dhe lidhjet e tyre emocionale e intime, ne funksion të partisë shtet!

Për votat e PS-së, ai pretendon të shndërrojë në “dashnore” votueset për herë të parë.

Kjo nuk është hera e parë që ky individ me pushtet sillet në mënyrë të papërgjegjshme ndaj grave.

Që nga koha kur kërcënonte me sëpatë gazetaret e vendit, ke prekja me duar dhe goditja e gazetareve opozitare, e deri tek fyerjet banale në sallën e kuvendit, mizogjinia e tij është e dukshme.

Është koha që ky politikan të marrë një mësim të vlefshëm.

Vajzat dhe gratë shqiptare nuk janë dashnoret e politikës!!!

Ato me vullnetin dhe punën e tyre çojnë përpara këtë shoqëri, në spitale, në shkolla, në fabrika, në familje.

Ato janë të angazhuara në politikë në çdo nivel, dhe analiza e tyre për realitetin është ku e ku më e saktë se ç’imagjinon mentaliteti prej horri lagjeje i një njeriu që fatkeqësisht është kryeministër i Shqipërisë.

Vajzat dhe gratë e Shqipërisë, pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, do i japin atij një mesazh ekzemplar në kutinë e votimit.

ÇFARE THA RAMA 

Kryeministri Edi Rama diten e djeshme gjate takimit me te rinjte qe votojne per here te pare nuk i kurseu batutat me vajzat , duke i kërkuar atyre që të përdorin fuqinë tërheqëse që të bindin djemtë e lëkundur që të votojnë për PS më 11 maj.

“Nëse ata janë të lëkundur tolerojini, nëse thonë se do votojmë për bufin e kënetës, lërini, mos i shihni me sy, dënojini, mos ja varni farë. Pastaj poqe se i doni aq shumë sa të ktheheni prapë tek ata lërini ca kohë të pendohen dhe kthehuni kur tju japin fjalën që nuk do ta përsërisin më atë gabim. Por ai gabim ama do tu rrijë mbi kokë gjithë jetën, sepse më 11 maj ne do marrim atë që na takon për ta çuar Shqipërinë në BE. Kur ju të merrni pasaportën në dorë, do thoni e kam dhe unë qepallën time këtu te kjo pasaporta. Kurse ata do shohin pasaportën dhe do thonë “rroftë dashnorja ime se të ishte për mua nuk do futesha kurrë në BE”. E kam serioze, nuk është për shaka kjo. Na duhet çdo votë, na duhet çdo lidhje të vihet në funksion të kësaj vote. Kështu që fuqinë tuaj tërheqëse mbi ata djem të lëkundur duhet ta vini në dispozicion të atdheut për të votuar në 11 maj për PS”, tha me 16 prill Rama.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko