Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i mbrëmjes së sotme (17 prill) në Tiranë, ku një automjet është qëlluar me armë zjarri teksa ishte në lëvizje.
Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë ndjekur mjetin nga rrethrrotullimi i Shkozës dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tij gjatë ndjekjes.
Menjëherë pas sulmit, autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi dhe më pas kanë djegur automjetin e përdorur në zonën e Lundrës, në një përpjekje për të humbur gjurmët. Automjeti i djegur mbante targa AA 040 YV, të cilat janë në proces verifikimi nga autoritetet.
Nga atentati dyshohet se janë plagosur katër persona. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se kanë mbërritur të plagosur me armë zjarri shtetasit Arens Stafa, 34 vjeç, dhe Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, të cilët janë dëmtuar në dorë dhe krah. Gjithashtu, në sallën e operacionit janë futur Dior Demiraj, 11 vjeç, dhe Kian Mullaj, 19 vjeç.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. S., 34 vjeç, K. M., 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç.
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Për këtë ngjarje do të kemi informacion më të zgjeruar pas sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.