Qofshin syze apo lente kontakti, marrëveshja është të keni vizion më të mirë dhe të përmirësuar. Në momentin që diagnostikohemi me një problem shikimi qoftë miopi, apo astigmatizëm një pyetje që vazhdon të na ndjekë është; syzet apo lentet? Cila është zgjedhja më e mirë?
Përgjigjja mbështetet në komoditetin dhe stilin tuaj të jetesës. Megjithatë, mjeku okulist e bën zgjedhjen e tij.
“Do të sugjeroja gjithmonë syzet dhe gjithmonë syzet në lidhje edhe me lazerat e ndryshëm, që kanë filluar të marketohen shumë tani. Kjo sepse syri është një organ shumë i ndjeshëm. Të bësh një ndërhyrje mund të japë një komplikacion gjatë bërjes së lazerit. Lazeri siç ka të mirat e veta që njihen publikisht, mund të ketë edhe komplikacione, që zakonisht nuk reklamohen.”, u shpreh mjeku okulist Qamo për Vizion Plus.
Problemet me shikimin janë shumë më të zakonshme sesa mund ta imagjinoni. Gati 60% e popullsisë në botë ka nevojë për korrigjim të shikimit. Fatmirësisht, 80% e të gjitha problemeve me shikimin mund të shmangen ose korrigjohen.
Një nga shkaktarët kryesorë të dëmtimit të shikimit është përdorimi i pajisjeve elektronike (telefon, tablet, televizor, kompjuter). Stresi, ushqyerja jo e shëndetshme, duhanpirja apo obeziteti mund të dëmtojnë gjithashtu shikimin.
Mënyra si shikoni tek ekrani i pajisjeve elektronike mund t’ju dëmtojë shikimin
Drita blu tek pajisjet elektronike mund të shkaktojë degjenerim makular, sëmundje që dëmton gradualisht retinën.
Dritat e kompjuterit janë ato që e dëmtojnë më shumë shikimin. Nëse qëndroni shumë para kompjuterit, duhet të merrni patjetër syze, edhe nëse mendoni se nuk keni asnjë problem me shikimin.
Stresi dëmton shikimin
Hormoni kortizol i stresit mund të dëmtojë retinën, duke shkaktuar turbullim të shikimit.
Mbroni shikimin: Aktiviteti fizik dhe meditimi mund të largojnë stresin. Frekuentoni edhe jetën e natës: Një orë muzikë live mund të ulë nivelet e kortizolit me 25%.
Leximi shumë afër mund t’ju dëmtojë shikimin
Sa më afër fytyrës ta mbani telefonin ose librin, aq më shumë lodhen sytë. Në këtë rast mund të shkaktohet miopia (çrregullim i të parit nga afër).
Mbroni shikimin: Përdorni rregullin 20-20-20: Çdo 20 minuta, bëni një pushim dhe shikoni një objekt 20 këmbë larg për 20 sekonda.
Shikoni nga dritarja nëse mundeni; pamjet jashtë ju ndihmojnë të relaksoni sytë.
Të qenët i shpërkujdesur ju dëmton shikimin
Traumat në sy, si gjuajtja me top në sy ose me bërryl, është një nga shkaktarët kryesorë të humbjes së shikimit tek të rinjtë.
Mbroni shikimin: Vendosni syze mbrojtëse kur luani. Nëse pësoni ndonjë gjuajtje të tillë dhe fillon t’ju turbullohet shikimi, bëni menjëherë një kontroll të syrit.
Mosushqyerja me barishte ju dëmton shikimin
Duke mos ngrënë zarzavate dhe barishte, ju nuk merrni lëndët ushqyese si nitratet dhe luteinën, që janë shumë të rëndësishme për shikimin dhe ju mbrojnë nga sëmundjet të lidhur me moshën si glaukoma dhe degjenerimi makular.
Mbroni shikimin: Një studim i fundit ka treguar se njerëzit që konsumojnë 240 ml spinaq në ditë kanë 30% më pak gjasa që të preken nga glaukoma, krahasuar me ata që i urrejnë barishtet.
Mbipesha dhe duhanpirja ju dëmton shikimin
Nëse jeni duhanpirës, obezë, ose i keni të dyja, rreziku për zhvillimin e glaukomës, katarakteve, degjenerimit makular dhe sëmundjeve të tjera të syrit është shumë i madh.
Mbroni shikimin: Përpiquni të humbisni disa kile dhe, më e rëndësishmja, hiqni dorë nga duhani. Konsumimi i një diete të pasur me fruta, perime (sidomos ato që kanë përmbajtje të lartë në vitaminë C dhe zink) dhe peshk është e mirë për shëndetin e syve./shendeti.com.al