Në një video të publikuar në rrjetet sociale, kandidatja për deputete e PD-së në Tiranë, Jorida Tabaku, solli në vëmendje historinë e Marselës, një avokate dhe notere që përfaqëson mijëra profesionistë të shtresës së mesme që luftojnë çdo ditë me një sistem ekonomik të padrejtë.
“Marsela me dy diploma, me studime në Itali, hapi një zyrë të vogël notarie në Tiranë. Por tarifat e larta, tatimet e papërballueshme dhe detyrimet ndaj urdhrave profesionalë e çuan në kufijtë e mbijetesës”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se, ndonëse Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin për taksimin e profesionistëve të lirë, Marsela dhe shumë të tjerë vazhdojnë të paguajnë taksa dhe detyrime.
“Historia e Marselës është historia e shumë profesionistëve të ndershëm që e nisin ditën herët dhe e përfundojnë vonë, por që nuk arrijnë të sigurojnë një të ardhme me dinjitet për familjet e tyre. Është historia e shtresës së mesme në Shqipëri – shtyllës kurrizore të ekonomisë, e cila sot është lënë në harresë”, – vijoi Tabaku.
Ajo u zotua se kjo situatë do të ndryshojë dhe se Partia Demokratike ka një plan të qartë për të çliruar profesionistët e lirë nga padrejtësitë fiskale dhe për të vendosur shtresën e mesme në qendër të politikave ekonomike.
Tabaku: Historia e Marselës është historia e shtresës së mesme, njerëz të ndershëm që punojnë me orë të gjata, me përkushtim dhe profesionalizëm, por që nuk arrijnë të sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme për familjet e tyre.
Ky realitet duhet të ndryshojë. Për Marselën, për vajzat e saj dhe për të gjithë ata që duan të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre. Ka ardhur koha që Shqipëria të vendosë në qendër njerëzit e punës, profesionistët e ndershëm dhe shtresën e mesme që është shtylla e një ekonomie të shëndetshme.