Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përcolli mesazhe urimi për Pashkën edhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale.
Për mediat ai bëri edhe një analogji me opozitën shqiptare, që sic tha ai donin ta fshinin nga faqja e dheut, por u ringjall, ashtu si Krishti.
Berisha deklaroi se sot opozita është më e fuqishme se kurrë “për të përzënë antikrishtin nga trojet shqiptare”
“Urimet më të përzemërta, nderimin më të madh Fortlumturisë së tij, Joani dhe të gjithë klerit ortodoks shqiptar, të gjithë besimtarëve ortodoks të Shqipërisë, këtë ditë ringjallje.
Ringjallja në një farë mënyre të duket se ka një djep edhe në Shqipëri.
Ringjallja e Krishtit është ngjarja më e madhe në historinë e qytetërimit perëndimor.
Por edhe ringjallja e besimeve fetare nga këta burra të përkushtuar pafundësisht që i ngritën ato nga shkrumbi, nga hiri i diktaturës dhe i shndërruan sot në institucione të dashura, të respektuara, të fuqishme që japin një ndihmesë shumë të madhe, si në mësimet e shenjta ashtu dhe në shkollimin, në ndihmën e atyre që janë më në nevojë.
Një ndihmë të pazëvendësueshme.
Kështu që në një mënyrë, historia e tyre është historia e ringjalljes.
Pra, është dëshmi e pavdekësisë.
Në fakt e ka një analogji edhe me opozitën shqiptare. U përpoqën ta fshijnë nga faqja e dheut, u ringjall, u ringjall dhe sot është me e fuqishme se kurrë, që të përzejë antikrishtin nga trojet shqiptare”, deklaroi Sali Berisha.